596 punëdhënës edhe pse e kanë marrë ndihmën financiare nga shteti nuk i kanë paguar 2.421 punonjësit e tyre. Këtë e bëri të ditur drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska, duke sqaruar se bëhet fjalë për pagën e muajit nëntor. Llukarevska u bëri thirrje kompanive në fjalë se kanë afat një javë për të bërë pagesën ndaj punëtorëve në të kundërt do ju bllokohen llogaritë bankare dhe do të sanksionohen.
Sanja Lukarevska, drejtoresha e DAP
“Më 29 dhjetor 2020, gjithsej 596 punëdhënës në shumën totale prej 36.655.907 denarë nuk paguan pagën e nëntorit për 2.421 punonjës. Numri i ndërmarrjeve që nuk kanë paguar pagat e punëtorëve për muajin nëntor dhe kanë marrë ndihma financiare nga shteti u zvogëlua nga 29 dhjetor deri më 31 dhjetor. Të gjitha kompanive që nuk paguanin punëtorët iu dha vërejtje dhe afat një javë, përndryshe do të ketë bllokim të llogarive”
Ndërsa, për 125 kompani që nga muaji mars deri në dhjetor kanë marrë ndihmë financiare për pagesën e pagave nga shteti për gati 2 milionë denarë, janë paraqitur padi penale nga DAP deri tek Prokuroria Themelore Publike, për keqpërdorimin e mjeteve financiare.
Sanja Lukarevska, drejtoresha e DAP
“Me kontrollet që i realizuam e ulëm numrin e kompanive të cilët i kanë keqpërdorur mjetet gjegjësisht japim urdhër për pagesë të detyruar dhe dedikim të mjeteve financiare për pagesën e të punësuarëve. Vazhdojmë me kontrollet dhe të gjithë ato që edhe më tej bëjnë keqpërdorime do duhet të përgjigjen ligjërisht dhe të gjithë mospaguesit do të publikohen në mënyrë transparente”.
Llukarevska vuri në dukje se shumica e kompanive që nuk kanë paguar pagat e punëtorëve janë nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari.
Deri më tani, gjithsej 13.851 aplikimesh janë dorëzuar në DAP për ndihmë financiare nga paketa e katërt e masave për të trajtuar pasojat ekonomike nga koronavirusi. Nga këto, 13.178 kompani paguajtën pagën e nëntorit prej 1.028.448.344 denarë për gjithsej 65.950 punonjës.
Përndryshe, nga kjo paketë, shuma më e madhe e ndihmës është 21.776 denarë për të punësuar, ndërsa më e vogla 14.500, në varësi të rënies së të hyrave të ndërmarrjeve.




