Të zgjedhurit e popullit vlerësojnë se viti 2020 ka qenë ndryshe nga vitet tjera për shkak të rrethanave të krijuar nga situata e përkeqësuar nga pandemia me Covid-19. Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arta Bilalli-Zendeli, vlerëson se viti 2020, si për mbarë njerëzimin, edhe për atë si deputete ka qenë vit, i cili ka shkaktuar telashe të natyrave të ndryshme. “Covid-19 na largoi nga shumë shprehi, pa të cilat ne dikur mendonim se nuk mundemi dhe na përkujtoi se jo gjithçka është në duar të njeriut. Po ashtu na mësoi të punojmë on-line dhe ta shfrytëzojmë për produktivitet teknologjinë. Unë, si individ, e përjetova këtë pandemi (deri tani e kam ruajtur shëndetin dhe nuk kam qenë e infektuar) dhe mendoj se kjo do të jetë përvojë për mua, për ne, për të gjithë”, shprehet në prononcimin e saj për KOHA, Bilalli-Zendeli.
Iniciativa për të mundësuar punë on-line të Parlamentit, shton ajo, për fat të keq, po bllokohet me amendamente nga opozita parlamentare dhe kjo do ta pamundëson punën on-line të deputetëve të infektuar apo të izoluar. “Praktikat nga vendet e zhvilluara demokratike tregojnë se shumë parlamente, mjaft shpejt u adaptuan dhe filluan on-line, por te ne nuk po ndodh një gjë e tillë, edhe pse ka propozim të parashtruar nga z. Talat Xhaferi. Edhe pse jemi në pandemi, Parlamenti ka funksionuar pa ndërprerje dhe nga 15 shtatori, më duket se çdo ditë kam qenë me punë e angazhime në Parlament. Uroj që pandemia të merr fund dhe të shpëtojë bota nga ky virus”, nënvizon ajo.
Syrija Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët (ASH) në opozitë, thotë se ky vit që kaluam ka qenë një vit mjaft i vështirë në përgjithësi, ku tashmë tema kryesore që e karakterizoi këtë vit ishte pandemia e shkaktuar nga virusi COVID 19 dhe të gjitha pasojat që kjo i la në jetën e përditshme të çdo qytetari jo vetëm të vendit, por edhe më gjerë. “Në plan të brendshëm, pasojat ishin edhe më të rënda para së gjithash për shkak të menaxhimit katastrofal të situatës jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe atë ekonomik. Gjithsesi se në këto rrethana kishim edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u organizuan në rrethana të jashtëzakonshme, një fakt që dukshëm ndikoi jo vetëm në daljen e ulët në votime, por edhe në rezultatin përfundimtar të tyre, rezultat i cili, jam i bindur se nuk reflektoi vullnetin e vërtetë të qytetarëve. Këtë më së miri e shfrytëzuan partitë politike në pushtet që të organizojnë zgjedhje që do të mbahen mend si më të parregulltat në dekadën e fundit. Kuptohet që detyra deputet dhe ushtrimi i këtij funksioni ka vështirësitë e veta në këto rrethana, edhe pse për fat të mirë nuk ka ndikuar në funksionimin normal të Parlamentit”, thekson Rashidi. Ai uron që një vit si 2020-a, të mos përsëritet në të ardhmen dhe uron që viti që pason të jetë një vit i mbarë, një vit i sanimit sa më të shpejtë të pasojave nga pandemia, një vit i rimëkëmbjes ekonomike dhe krijimit të kushteve për një jetë më të mirë dhe më të begatshme për të gjithë qytetarët e vendit. “Para së gjithash, uroj suksese, shëndet të plotë për ju, për lexuesit tuaj dhe për të gjithë qytetarët”, potencon deputeti Rashidi.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, konsideron se viti 2020 ka qenë jashtëzakonisht më ndryshe nga vitet e tjera. “Ishte viti kur duhej të kishim zgjedhje të parakohshme parlamentare në muajin mars, por për shkak të pandemisë – duhej të shtyheshin. U përballëm me sfida të shumta, por sfida kryesore ishte pandemia Covid-19, e cila e vuri në sprovë gjithë botën. Gjendja u rëndua edhe më shumë mbasi në këtë kohë – nuk kishim Parlament funksional, ndërsa Qeveria ishte teknike. Me shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme dhe vendimet për kufizimin e lëvizjes, shtuar këtu edhe rrezikun nga virusi Covid-19, u gjendëm në një situatë kur edhe kontaktet mes familjarëve u limituan dhe me mbylljen e kufijve disa nga familjet mbetën edhe të ndarë për një kohë. Procesi arsimor, por edhe shumë të punësuar tjerë duhej të punonin në distancë. Ishte një vit kur edhe kur tradicionalisht në të kaluarën gjatë muajit të Ramazanit njerëzit mblidheshin në sofrën e iftarit e këtë vit – kjo nuk u bë për shkak të protokolleve për mbrojtjen shëndetësore”, deklaroi për KOHA, Rexhepi.
Ai, 2020-ën e konsideron si një vit shumë të vështirë për të gjithë njerëzimin, por shton se pandemia ka edhe kujtime të mira. “Që të mos të jetë se nuk ka edhe kujtime të mira, vitin që po e lëmë do ta mbaj mend edhe për faktin se përfundimisht vendi jonë u bë anëtare e NATO-s dhe zgjedhjet e parakohshme, kur Lëvizja BESA ishte faktor determinues në fitoren e koalicionit dhe u bë pjesë e shumicës qeveritare. Në këtë vit mora mandatin e të zgjedhurit të popullit në Parlament si deputet. Shpresoj që viti 2021 do të jetë vit më ndryshe, derisa me ndihmën e vaksinave, pandemia do të fitohet dhe do të kthehemi sa më shpejt në normalitet. Në fund, dua të shpreh ngushëllimet e mia për gjithë ata që kanë humbur të afërmit e tyre si pasojë e pandemisë”, shprehet deputeti Rexhepi.
Të jesh deputet, shprehet më tej ai, në kushte pandemie është sfidë në vete mbasi që edhe kushtet për të ushtruar detyrën në kapacitet të plotë, për shkaqe të protokolleve të parapara nga autoritetet shëndetësore, janë të limituara. “Seancat plenare mbahen në sallën më të madhe për shkak të distancës, e cila është nën kupolën e xhamit dhe në fillim të mandatit – në muajin gusht, temperaturat ishin mjaft të larta dhe jo aq komode për punë. Nuk do ta harroj ditën e parë kur nuk lejohej që as ujë mos të marrim brenda në sallë dhe nga qëndrimi i gjatë në temperatura të larta – edhe dehidronim. Por pas vështirësisë vjen lehtësimi dhe ngadalë u adaptuam të punojmë edhe në kushte të rënda dhe jam munduar ta jap maksimumin për atë që më është besuar – mandati nga populli”, tha ai.
Deputetët shqiptarë – edhe të pozitës, por edhe të opozitës, presin që në 2021, situata të përmirësohet me pandeminë dhe të fillojë vaksinimi kolektiv i qytetarëve. Po ashtu premtojnë angazhim më të madh në kuadër të Parlamentit në gjetjen e kompromiseve mes deputetëve të shumicës dhe opozitës në miratimin e ligjeve të ndryshme, që janë në interes të qytetarëve. (koha.mk)




