Nga minuta në minutë po shpërthejnë zjarre në të gjithë vendin. Përveç Dellçevës dhe Pehçevës, situata është kritike në rajonin e Kumanovës ku janë aktive tetë vatra zjarri që shpërthyen për një orë e gjysmë, ndërsa në Prilep digjet pyll në 18 lokacione ndërsa nga fshati Rakle janë evakuuar dy persona. 18 zjarre aktive edhe në Shkup.
– Advertisements –
“Edhe në Shkup situata është alarmante. Aktualisht kemi 18 vatra zjarri. Më kritike janë fshati Kuçkovë, fshati Sfillare e Epërme. Gjithashtu kemi edhe midis Dobri Dollit dhe Rakotincës në komunën e Sopishtes dhe Bllacë e Epërme të cilat kanë shpërthyer për momentin. Por këto tre vende që i përmenda janë vërtet alarmante.”- deklaroi Marija Milkova – Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Nga Qendra e Menaxhimit të Krizave theksojnë se erërat e fuqishme e kanë vështirësuar situatën, megjithatë prioritet mbetet shpëtimi i njerëzve dhe pronave të tyre.
“Tani e tutje vendosim prioritetet. Presim që erërat të jenë edhe më të fuqishme dhe rrethana rënduese në trajtimin e zjarreve, por nuk e humbim shpresën, mbetemi në terren me të gjitha forcat në dispozicion. Ne mund të sigurojmë 500 trupa shtesë. Burimet materiale janë angazhuar maksimalisht”- pohoi Goran Stojanovski – Qendra për Menaxhim të Krizave.
Qendra e Menaxhimit të Krizave ka apeluar qytetarët që nëse zjarret u afrohen shtëpive të tyre, të largohen menjëherë dhe të kërkojnë evakuim.
Andrea Cobanova



