Alsat-M 2019-06-08T15:29:46+02:00
Pavarësisht se javë më parë u promovuan, 12 veturat e Ndihmës së Shpejtë ende nuk kanë hyrë në përdorim. Drejtorët e Shtëpive të Shëndetit Publik presin konfirmimin e Qeverisë që këta vetura të dalin jashtë garazheve të Spitaleve dhe të hyjnë në funksion për qytetarët. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se të martën pritet që në Qeveri të kalojë çështja e hyrjes në fuqi të këtyre veturave.
Arsyja është administrative, veturat janë në rregull janë shpërndarë në bazë të kërkesave, në bazë të institucioneve dhe nevojave. Të martën që vjen, kemi dërguar në Qeveri informatë për shpërndarjen e veturave, në momentin që kalon në Qeveri, edhe zyrtarisht veturat do të hyjnë në funksion”.- theksoi Asim Musa, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë
Ndërkohë 200.000 eurot e mbetura nga buxheti i planifikuar për furnizimin e 12 autoambulancave ministria planifikon t’i investojë në 8 veturat që ministria e Bujqësisë ia dhuron dikasterit të Shëndetësisë në vend që të blejë makina të reja.
Në bazë të llogarive tona do të ishte shumë më mirë të bëjmë adoptimin e tyre sepse do të fitojmë një numër më të madh të veturave, se sa të bëjmë blerjen e veturave të tjera. Diku tetë vetura të cilat ia dhuron Ministria e Bujqësisë Ministrisë së Shëndetësisë do të bëjmë adaptimin e tyre në autoabulanca. Bëhet fjalë për vetura të reja të pa përdorura fare”.- u shpreh Asim Musa, Zëvendës Ministër i Shëndetësisë
Tre nga tetë veturat e Bujqësisë pritet të shpërndahen në Shtëpinë e Shëndetit në Likovë, Tetovë dhe në Spitalin për dializë në Strugë. Ndërkaq nga 12 autoambulancat e blera muaj më parë, 6 u shpërndanë në Shkup, 1 në Kërçove, 1 Dibër, 1 Strugë, 1 Krushevë, 1 Kriva Pallankë dhe njëra në Berovë. Edhe 3 vetura të tjera pritet të dhurojë Republika Çeke donacion, shtetit tonë. Megjithatë, problemi i mungesës së autoambulancave mbetet ende shumë i theksuar. Shtëpia e Shëndetit në Kërçovë është njëri ndër institucionet i cili për çdo ditë transferon nga 3 deri 4 pacientë për në Tetovë osë Shkup. Ky institucion posedon per momentin vetëm 3 autoambulanca të cilat janë të vjetra më shumë se 15 vite dhe kanë të kaluar mbi 1 milion kilometra. Vetura e re që është dhënë edhe pse është mirëpritur, nuk zgjidh problemin shumëvjeçar. Megjithatë Qeveria paralajmëroi se me paratë që do të shitet Mercedesi luksoz i blerë nga Qeveria e kaluar, do të blehen autoambulanca të reja, të cilat pritet të zbusin gjendjen me mungesën e makinave të Ndihmës së Shpejtë.Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
Vjollca Aliti
Loading…



