11 fëmijë të lagjes Bardhi në fshatin Bllacë janë të detyruar që për t’i vijuar mësimet, krahas çantave e librave, të bartin me vete edhe pasaportat. Ata jetojnë në Maqedoni të Veriut, por shkollimin e bëjnë në Kosovë. Kjo për shkakun që në fshatin e tyre nuk ka shkollë për nxënës të klasave nga e gjashta deri në të nëntën. E si alternativë të vetme për arsimim e kanë shkollën fillore “Iliaz Thaqi” në Han të Elezit
Për t’u ulur në banka shkollore, 11 fëmijë të lagjes Bardhi në fshatin Bllacë detyrohen që përditë ta kalojnë kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Rrugën pesëkilometërshe deri në Han të Elezit, Semra Sherifi bashkë me shokët e shoqet e përshkojnë për t’i ndjekur mësimet në Kosovë, pasi në fshatin ku jetojnë nuk ka shkollë.
Sherifi, nxënëse e klasës së tetë në shkollën “Iliaz Thaqi”, ka thënë se me gjithë që përditë i duhet të zgjohet në 6 të mëngjesit për të marrë rrugë, shkollimin synon ta vazhdojë në Kosovë.
“Nga klasa e parë kam ardhur këtu. Më pëlqen vendi këtu, gjuha dhe kam qejf këtu me vazhdu shkollën e mesme dhe fakultetin. Më pëlqen gjuha dhe jam shqiptare”, ka deklaruar ajo.
E shoqja e saj mendon që arsimimin e mëtutjeshëm ta bëjë në Shkup.
“Jetoj në fshatin Bllacë, nuk është që kam ndonjë raport me fëmijët maqedonas, nuk e flas shumë mirë gjuhën maqedonase. Dëshiroj të studioj dhe të vazhdoj shkollën në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup”, ka thënë nxënësja nga fshati Bllacë.
Ajo e ka kualifikuar jo të lehtë përvojën e të jetuarit në Maqedoni të Veriut, e shkollimin në Kosovë.
“Nuk është ndjenjë e mirë se duhet me udhëtu, edhe pak është larg. Kisha pas dëshirë që të jetë edhe një shkollë atje ku banoj unë, por fatkeqësisht nuk e kemi. Çdo ditë duhet të kemi pasaporta dhe dokumente në çantë me udhëtu”, ka thënë tutje ajo.
E Akif Shkreta, drejtor i shkollës fillore “Iliaz Thaqi” në Han të Elezit, ka thënë se në institucionin arsimor që ai e drejton, mësimin e kanë vijuar breza të shumtë nxënësish nga kjo lagje.
“Nuk kemi problem me këta nxënës, janë të mirëseardhur në shkollën tonë. Kjo lagje, Bardhi, pavarësisht që është në territorin e shtetit të Maqedonisë së Veriut, kjo konsiderohet si me qenë lagje e Hanit të Elezit, për shkak të lidhjeve familjare që i kemi me ta”, është shprehur Shkreta.
Hysni Luri, drejtor i Arsimit në komunën e Hanit të Elezit, ka thënë se numri i këtyre nxënësve ka shënuar ulje teksa për ata që ende vazhdojnë të vijnë për shkollim në këtë komunë, sfidë e kualifikoi sigurimin e teksteve shkollore.
“Prindërit e tyre në esencë i kanë dy nënshtetësi, e për ata të cilët kanë pasur problem me aplikimin për subvencionim të teksteve shkollore, atëherë jemi mundu që së bashku me këshillin e prindërve, me stafin e shkollës, të bëjmë zgjidhje këtyre nxënësve të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për tekstet shkollore”, ka thënë drejtori Luri.
Në lagjen Bardhi ka shkollë veç për nxënës nga klasat e para deri të pesta dhe aty mësojnë 12 fëmijë.
Njëri nga dy mësuesit e shkollës, Muhib Bardhi, ka thënë se ndonëse objekti nuk i përmbush kushtet, është alternativë më e sigurt për nxënësit më të vegjël sesa udhëtimi deri në Kosovë.
E për 11 fëmijët më të rritur, thotë se nuk ka mënyrë tjetër shkollimi.
“Llogarite tash kohë e dimrit, vjeshtës, lagështi, borë… kalimi i kufirit, dokumente, pa dokumente është problem, mirëpo sado-kudo me të rritur janë ata. Është problem se pak është larg por zgjidhje tjetër nuk kemi, sepse shkollë nëntëvjeçare këtu afër nuk kemi”, ka deklaruar Bardhi.
Në lagjen Bardhi në Bllacë, aktualisht jetojnë rreth 200 banorë që janë shqiptarë./Koha.net