Gati se dhjetë ditë nuk ka asnjë gjurmë nga 79 vjeçari Aqif Abdullahu me vendbanim në Çarshinë e Epërme në Tetovë. Ai është larguar nga shtëpia në drejtim të panjohur dhe familja edhe përkundër kërkimeve të shumta ende nuk ka asnjë informatë për vendndodhjen e tij. Rasti për largimin nga shtëpia të 79 vjeçarit, Aqif Abdullahu, është denoncuar në policinë e Tetovës, por kërkimet kanë rezultuar pa sukses. “Më 1 korrik në Sektorin për Punë të Brendshme është denoncuar se nga shtëpia është larguar 79 vjeçari A.A., i cili ka pasur probleme shëndetësore, gjegjësisht ka vuajtur nga skleroza. Pasi që një kohë të gjatë nuk është kthyer në shtëpi, ka filluar kërkimi intensiv fillimisht edhe me qenë special të trajnuar, por edhe gjatë vikendit është kërkuar gjatë tërë rrjedhës së lumit Vardar, pasi që paraprakisht kanë marrë informacione se është parë në atë rajon. Kërkimet vazhdojnë edhe këtyre ditëve dhe do të vazhdojnë deri në gjetjen e 79 vjeçarit”, njofton Policia e Tetovës. Ditë më parë familja ka apeluar edhe tek qytetarët e Tetovës dhe rrethinës që në rast se e kanë vërejtur plakun të paraqiten në stacionin policor më të afërt ose në numrat e telefonit 070 980 798, 070 618 785. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovës kanë bërë të ditur se që nga fillimi i vitit në rrethana të panjohura janë larguar nga shtëpitë e tyre 11 persona. Prej tyre, 9 janë gjetur, rasti më i fundit ishte largimi i një plaku nga fshati Shemshovë, i cili pas disa ditëve ishte gjetur i gjallë në një shtëpi në pjesën periferike të fshatit. Dy persona akoma janë duke u kërkuar, njëri është plaku nga Çarshia e Epërme, kurse tjetri është një qytetar nga Bërvenica. (U.H.)

