Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në dialogun me Serbinë, edhe pse është çështje e Bashkimit Evropian. Ai tha se Kosova nuk është në Kombet e Bashkuara për shkak të telasheve që i vijnë Kosovës nga Serbia dhe nga Rusia.
Kongresmeni amerikan këto komente i ka bërë në lançimin e fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë, fondacion ky prej 49 milionë dollarëve, i cili do të implementojë projektet e agjensionit federal amerikan MCC në Kosovë.
Ai shtoi se është takuar me Vuqiçin dhe me Daqiçin dhe se është i bindur se përmes dialogut me SHBA-të mund të arrijnë këto, sepse sipas tij nuk është fer që Kosova të bllokohet në rrugëtimin e saj drejt këtij qëllimi.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me fillimin e këtij projekti po e konfirmojnë një kapitull të ri të marrëdhënies mes Kosovës dhe Amerikës.
hefi i Qeverisë tha se programi i MCC-së fokusohet në dy fusha, e para që është energjetika dhe e dyta qeverisja transparente.
Haradinaj ka falënderuar Presidentin Thaçi dhe ish-presidenten Jahjaga por edhe ish-kryeministrin Mustafa që sipas tij kanë dhënë kontributin e tyre për fondacion.
Zyrtari kryesor operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Jonathan Nash, tha se Kosova ka potencial për zhvillim dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e ShBA-së.
Ndërkaq, zëvendës ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Colleen Hyland, ka thënë se tashmë Qeveria e Kosovës e ka përgjegjësinë për zbatimin e programit me efikasitet dhe llogaridhënie për qytetarët e Kosovës.
Programi i Pragut i MCC-së për Kosovë përkrahë përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikave.
Programi i Pragut i MCC-së është një program më i vogël i granteve, i cili përqendrohet në avancimin e reformës institucionale dhe të politikave e që i ndihmon shtetet partnere që t’ju shërbejnë popujve të tyre më mirë. Investimet e MCC-së me grante promovojnë rritjen ekonomike dhe u ndihmojnë njerëzve që të ngritën mbi varfërinë duke krijuar kështu shtete më stabile dhe më të sigurta, si dhe mundësi të reja biznesore.

