Punimeve për renovimin e teatrit shqiptar në Shkup që kanë nisur në janar të vitit 2014, nuk u duket fundit. Në hapësirat e këtij institucioni, kamera e televizionit Alsat ka regjistruar tre-katër punëtor të një ndërmarrjeje nga Tetova duke kryer disa punë të vogla për kompaninë italiane “Shensia”, trashëgimtare e kompanisë Lanomde Moreda e cila ka fituar tenderin për modernizimin e këtij objekti kulturor. Ky institucion duhet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të tërësishëm, që nga teknika, sallat e shfaqjes, zyrat dhe ambienti i jashtëm, por pavarësisht se kanë kaluar tre vite nga nisja e punimeve dhe janë shpenzuar rreth 3 milion euro, objekti ende duket larg finalizimit.
“Nuk është ndonjë dinamikë shumë e dëshiruar. Punët vazhdojnë konformë pagesave që janë bërë deri tani. Momentalisht është duke u punuar në tre prej fazave”, deklaroi Anita Latifi, Zëdhënse e Teatrit Shqiptar.
Përfundimi i punimeve fillimisht ishte premtuar për në shtator të vitit 2015, pastaj për në verë të vitit 2016 ndërsa tani, për në vitin 2017. Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska Milevska, në një prononcim për Alsat ia hedhin fajin për ngecjen e punimeve, drejtuesve të këtij institucioni kulturor. Por, sekretari shtetëror në këtë ministri, Behixhiudin Shehapi ngecjet i arsyeton me falimentimin e kompanisë që kishte fituar edhe tenderin.
“Aty kishte një ndryshim të kompanisë, kompania e falimentuar u ridefinua dhe me një staf të ri dhe koncept të ri vazhdon punën e vet. Atje punët shkojnë shumë më mirë dhe po ashtu do t’i gëzohemi teatrit të ri në Shkup në vitin 2017”, deklaroi Beduxhedin Shehapi, sekretar shtetëror.
Thatë se u ridefinua. Është kompania e njëjtë?
“Po, po, kompani e njëjtë por kompani e ridefinuar”, u përgjigj Beduxhedin Shehapi, sekretar shtetëror.
Por, të dhënat që ka siguruar Alsat tregojnë se bëhet fjalë për një kompani e cila është përballur me procese të shumta gjyqësore në Itali për shkak të mashtrimeve ndaj klientëve të saj. Në bazë të një vendimi të gjykatës së Forlisë në Itali që mban datën 29 janar 2015, për mungesë të likuiditetit dhe në pamundësi të shlyerjes së borxheve ndaj kreditorëve të shumtë, Lanomde Moreda ka kërkuar vet-falimentimin nga e cila më pas është themeluar kompani e re me emrin “Shensia”. Zvarritje e punimeve në Teatrin e Shkupit për të cilin janë dedikuar 8 milion euro, në vazhdimësi ka shkaktuar reagime në mesin e të punësuarve të cilët aktivitetet e tyre i zhvillojnë në kushte të papërshtatshme në hapësirat e Teatrit të komedisë./alsat-m
https://www.youtube.com/watch?v=daOqlhW0YpU