Një zjarr i fuqishëm përfshiu pasditen e sotme kallamishtet në lagjen naftëmbajtëse të qytetit të Kuçovës, duke alarmuar banorët dhe duke vënë në rrezik puset e naftës dhe banesat pranë tyre.
Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ndërsa në terren ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse të Kuçovës dhe Beratit, pas marrjes së njoftimit emergjent. Zona, e njohur për praninë e puseve në gjendje pune, u konsiderua me rrezik të lartë shpërthimi në rast përhapjeje të zjarrit.
Pas më shumë se një ore përpjekjesh intensive, forcat zjarrfikëse arritën të vendosin situatën nën kontroll, duke shmangur dëmet në banesa apo puse nafte.
Sipas burimeve, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa po mbikëqyren disa vatra të vogla të nxehta, që ndodhen ende në afërsi të puseve, për të parandaluar riaktivizimin.
Si pasojë e zjarrit, janë djegur rreth 2 hektarë me ferra, shkurre dhe kallamishte, ndërsa mësohet se kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit.