Njëjte sikurse verën e kaluar edhe këtë verë, një pjesë e madhe pronave bujqësore në territorin e Komunës së Tearcës janë përfshirë nga zjarret. Zjarri shpërtheu të hënën në mesditës dhe ka vijuar gjatë tërë pasdites, duke djegur sipërfaqe të mëdha prona bujqësore kryesisht mbetje nga korrjet e grurit. Krahas zjarrfikësve dhe disa banorëve, në terren doli edhe Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi sipas të cilit zjarri është i qëllimshëm dhe ka apeluar deri tek banorët që bëjnë kujdes, ndërsa njoftoi se krahas zjarrfikësve të Tearcës, në ndihmë kanë ardhur edhe zjarrfikësit e Tetovës. Pas disa orëve luftë me flakët, zjarrfikësit arritën që të vënë nën kontroll zjarrin, por kreu i komunës së Tearcës apeloi që në këtë periudhë qytetarët të kenë më shumë kujdes.
“Pas shumë orësh përballjeje me flakët, falë angazhimit të zjarrfikësve dhe ndihmës së banorëve që u përfshinë me traktorët e tyre, u arrit lokalizimi dhe vënia nën kontroll e zjarrit. Edhe një herë u bëj apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë këtyre temperaturave të larta. Të mos ndezin zjarre në vende të hapura dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë përhapjen e flakëve. Në të kundërtën, organet kompetente do të veprojnë pa kompromis ndaj kujtdo që shkakton rrezik të përgjithshëm”, deklaroi Daut Memishi.
Në përhapjen e shpejtë të zjarrit, ndihmoi edhe era e cila vështirësonte gjatë tërë kohës vënien në kontroll të zjarrit, prandaj u aktivizuan edhe zjarrfikësit e Tetovës.
Ndërkohë, komandanti i Brigadës së zjarrfikësve në Tetovë Avni Ameti, ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin veprime që shkaktojnë zjarr. “Ju lutemi të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes maksimal gjatë këtyre ditëve me temperatura shumë të larta. Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura dhe shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë përhapjen e flakëve. Le të kontribuojmë së bashku për mbrojtjen e natyrës, pronës dhe sigurisë së të gjithëve. Një falënderim i veçantë shkon për Drejtorin e Menaxhimit të Krizave, Muhamet Ali, Kryetarin e Komunës së Tearcës, Daut Memishi, si dhe Shoqatën e Vullnetarëve “Pollogu”, për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre në përballimin e zjarrit”, tha komandanti i Brigadës së zjarrfikësve në Tetovë Avni Ameti.
Zjarri në përgjithësi ka shqetësuar shumë banorë të kësaj zone të cilët dolën në terren duke reaguar me mjete bujqësore për të parandaluar përhapjen e zjarrit më shumë. Nga ana tjetër, ky është viti i dytë radhazi që në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë përhapet zjarr i përmasave të mëdha. Deri më tani, për këto zjarre ende nuk ka asnjë të dyshuar. (koha.mk)



