Rasti “Zhvatja”, po vazhdon me prezantimin e provave të të akuzuarës, ish shefes së PSP-së Katica Janeva. Fillimisht u lëshua një video, e shkëputur nga një emision në 1tv ku kishte qenë e pranishme Katica Janeva, së bashku me prokuroren Lile Stefanova dhe kryesisht flisnin për rastin ”Perandoria” si dhe lëshimin e të akuzuarit të parë Orce Kamçev nga paraburgimi në paraburgim shtëpiak. Aty Janeva thoshte se që nga fillimi ka qenë kundër ndonjë mase më të rreptë dhe siç u shpreh në fund të fundit, gjykata është ajo që vendos, pra mund të mos e pranonte propozimin e prokurorisë. Ajo konsideronte se duhet të caktohej masë sa më e vogël nëse të akuzuarit bashkëpunojnë në hetim dhe japin garanci se nuk do të ikin. Prezantuesja më tej i thotë se në opinion ka pasur kritika për lëshimin e Kamçevit në paraburgim shtëpiak dhe se si pasojë e kësaj në PSP janë krijuar ndarësi, ndërsa Janeva duke e mbrojur qëndrimin e saj thotë se vendimin e ka marrë pa pasur presione nga askush.
Katica Janeva
“Ne për të parën herë kemi vendosur praktikë, që zyrtarët policor, çdo të diel të kontrollojnë të akuzuarit se a gjenden në shtëpi. Nuk kam pasur presion nga askush për të dhënë mendim pozitiv për paraburgimin dhe nuk jam në dijeni se në PSP janë krijuar ndarësi për këtë gjë”.
Më tej, u propozua edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme me të cilin ndalohen hetimet e PSP-së, mes së cilave edhe “Perandoria” dhe më pas edhe vednimi i kësaj gjykate për ta liruar Kamçevin nga paraburgimi.
Në pjesën e provave kishte edhe dokumente të llogarisë bankare të ish kryeprokurores, sipas të cilave nuk kishte të hyra tjera në llogari, përveç një rrogën dhe një pagese nga Qeveria përshkak të pjesëmarrjes së saj në trupin e reformave për gjyqsor. Poashtu dorëzuan edhe një listë anketuese për periudhën 2015-2019, e cila sipas avokatit Delo Kadiev, nuk kishte asgjë ndryshim në gjendjen pronësore të Janevës.
Babai i Katica Janevës ishte mjekuar në spitalin e “Axhibadem Sistinës”, të Orce Kamçevit dhe mbrojtja prezantoi dëshmi të llogarive fiskale të paguara nga kartela e motrës së Janevës, Lile Delixhakova.
Delo Kadiev, avokat i Katica Janevës
“Këtë provë po e prezantojmë për shkak të deklaratës së dëshmitares Ana Kamçeva se babai i Katicës është mjekuar tek ata. Ja ku janë fiskalet dhe këtu nuk ka asgjë korruptive”.
Pjesa tjetër e provave do të bëhet pa pjesmarrjen e opinionit sepse siç thanë kanë të bëjnë me hetimin e rastit “Perandoria”, kurse lënda është në hetim dhe kjo paraqet ruajte të fshehtësisë. Opinioni do mund të kthehet atëherë kur të filloj marrja në pyetje e dëshmitarëve të propozuar nga Janeva, të cilët sipas paralajmërimeve do jenë disa nga prokurorët e PSP-së.
Seancën e kaluar i akuzuari i parë Boki 13 e përfundoi pjesën e provave me prezantimin e 1.600 fotografive nga brendet më të njohura si dëshmi se një pjesë e madhe e veshjeve janë blerë para vitit 2019 dhe jo me para të Orce Kamçevit.



