13 November
VMRO-DPMNE vë në pikëpyetje dialogun e Zhan Monesë me mos-prezencën e saj. Ata edhe sot vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se çështjet e rëndësishme duhet të zgjidhen me dialog ndërpartiak në nivel republikan dhe jo me ndihmën dhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
VMRO-DPMNE mbanë qëndrimin se në çdo shtet, për çështje të rëndësishme, dialogu duhet të bëhet mes partive dhe në suaza të institucioneve shtetërore. Për momentin nuk e shohim të arsyeshme e as nuk e dimë temën për një tjetër nivel takimesh- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Kumtesa e VMRO-DPMNE-së që ngrit dyshime për pjesëmarrjen e tyre në dialogun e Zhan Monesë, erdhi menjëherë pas deklaratës së euro-deputetit Ivo Vajgell, i cili të premten tha se te të gjitha partitë politike në Maqedoni, ekziston vullnet për bashkëpunim.
Është e qartë se tani po mbizotëron një frymë bashkëpunimi dhe dëshirë që të punohet në interes të vendit. Ekziston vullnet te të gjitha partitë politike që interesat e shtetit t’i vendosin në rend të parë. Është një formë ku mediat nuk janë të pranishme, si dhe një mundësi ndërveprimi e Parlamentit Evropian me parlamentet kombëtare- Sdeklaroi eurodeputeti Ivo Vajgell.
Ish kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Stojan Andov duke komentuar mospjesëmarrjen eventuale të VMRO-së në Paris, thekson se pa përfaqësues të të dyja palëve, të Qeverisë dhe ata të opozitës, dialogu nuk ka kuptim. Sipas tij, mungesa e VMRO-DPMNE-së në këtë takim, humb kuptimin e “dialogut” pasi që të gjithë përfaqësuesit e partive tjera do të jenë të një mendimi.
Nëse VMRO-DPMNE e refuzon ftesën, atëherë do të shkojnë përfaqësues me një qëndrim dhe nuk do të ketë dialog, nuk shoh arsye as pse të udhëtojnë për në Paris. Ashtu që nuk kemi çka e mendojmë këtë punë më larg. Do të ishte vetëm një shëtitje. Nuk ka dialog nëse aty nuk ka përfaqësues nga Qeveria dhe opozita- deklaroi Stojan Andov, ish kryetar i Parlamentit.
Ndërkaq të gjitha partitë tjera politike parlamentare përveç VMRO-DPMNE-së shprehin gatishmërinë për të qenë pjesë e dialogut të Zhan Monesë, me qëllim të përmirësimit të dialogut parlamentarë dhe hapërimit pozitiv drejt proceseve euro-atlantike.
Besian Leka

