Alsat 2019-10-05T15:41:45+02:00
Godina e Kulturës do të inspektohet të hënën nga Ministria e Arsimit, nëse ky objekt përmbush kushtet elementare për zhvillimin e mësimit për 11 fëmijët e Idrizovës. Ministri i Arsimit tha se kjo është zgjidhja e përkohshme për nxënësit e klasës së gjashtë me mësim në gjuhën shqipe, pas marrëveshjes së arritur mes Këshillit të prindërve dhe Komunës së Gazi Babës.
Kryetarin e Komunës e kemi ngarkuar, i kemi sugjeruar që në bashkëpunim me prindërit të gjejnë zgjidhjen e përkohshme, duke respektuar vullnetin e prindërve. Së bashku duke i shqyrtuar të gjitha opsionet se ku do të vazhdojnë mësimin ata 11 fëmijë me ç’rast kemi potencuar se asnjë fëmija në vendin tonë nuk do t’i cenohet e drejta në arsimim në gjuhën e vetë amtare- deklaroi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari i kësaj Komune Boris Georgievski u tha prindërve se në shkollën fillore “ Njegosh” nuk ka vend për një paralele të re, edhe pse sipas prindërve tërë pasditen shkolla është bosh. Nga këshilli i prindërve janë të prerë që fëmijët e tyre klasën e gjashtë në gjuhën shqipe ta vazhdojnë vetëm në shkollën fillore “Njegosh” të Jurumlerit dhe jo në shkolla tjera të Shkupit. Objekti ku të hënën nxënësit e klasës së gjashtë duhet të nisin me mësim nuk ka banka, karrige, tabela apo ngrohje, thonë prindërit. Kurse, kryetari Georgievski iu premtoi se për 24 që objektin do ta shndërrojnë në një “mini shkollë”.
Çështja e mësimit në gjuhën shqipe në Idrizovë ka qenë problem i kahershëm, kujton profesori në pension Tahir Zajazi. Ish profesori Zajazi u bënë thirrje institucioneve që me shumë kujdes të gjejnë zgjidhje dhe shkolla e “Njegoshit” mos të bëhet shkas i nxitjes së urrejtjes ndër etnike.
Ajo që është më e dhembshme në kohët e fundit janë ato reaksionet ndëretnike të prindërve në lagje të ndryshme dhe rajone të ndryshme. Ajo është një plagë e dhimbshme e cila duhet patjetër të tejkalohet. Shkaqet e saja do t’i thosha përsëri janë në politikën e vendit- thotë Tahir Zajazi, Profesor në pension.
Sipas Zajazt bashkëvendësve u pengon zhvillimi i komuniteteve më të vogla në komuna të ndryshme. Qeveria mbështeti zgjidhjen e këtij problemi duke i rekomanduar Komunës Gazi Babë që ti ndërmerr të gjitha aktivitetet dhe të dorëzojë kërkesë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin e shkollës së re. Nga kjo e fundit thanë se toka është caktuar dhe posa të bëhen gati dokumentet nga komuna, do të shpallet tenderi për ndërtimin e shkollës së re.
Adnan Qaili
Loading…




