7 June 2018 / 19:04
Sa afër aq edhe larg. Kështu të paktën duket kjo fazë e bisedimeve për zgjidhjen e emrit. Në çdo paraqitje të tij, Zaev thotë se është çështje ditësh kur do të realizojë bisedën me homologun e tij grek Cipras, e cila është edhe vendimtare për zgjidhjen e kontestit të emrit. Duke përsëritur frazën e njëjtë Zaev tha se në pyetje janë detaje dhe se më e rëndësishme është të arrihet marrëveshje e mirë, por se kjo është e vështirë dhe e ndjeshme.
Sinqerisht dëshiroj sonte t’i telefonoj ose të më telefonojnë, ose nesër, pasnesër. Por ditët, besoj, varësisht problematikës që po e bisedojmë janë pak. Prandaj edhe Ministria e Jashtme edhe Greqia paralajmërojnë se janë në pyetje ditë, zv/kryeministri ynë Bujar Osmani përcolli porosi se orë janë në pyetje. Dhëntë Zoti t’i afrojmë qëndrimet për këtë çështje për të cilën bisedojmë që menjëherë atë ta ndajmë me opinionin – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Pavarësisht premtimeve të kryeministrit Zaev, nga Ministria e Jashtme thonë se më e rëndësishme është cilësia e marrëveshjes se sa koha e arritjes së saj. Në një njoftim të dikasterit të jashtëm thuhet se grupet e punës duhet që në marrëveshjen finale t’a inkorporojnë rezultatin e arritur në negociata mes dy ministrave të jashtëm.
Republika e Maqedonisë dëshiron dhe intenzivisht punon kjo të ndodhë para mbledhjes së Këshillit Evropian, njëkohësisht duke treguar se për këso çështjesh të rëndësishme nuk duhet të shpejtohet. Cilësia e tekstit të marrëveshjes dhe nevoja për arritjen e zgjidhjes së përhershme dhe të qëndrueshme për të dy palët janë shumë më të rëndësishme sesa procesi të finalizohet në cilindo afat – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Nga ana tjetër ish ministri i jashtëm Antonio Milloshoski ka shkruar në facebook se përveç pakos së pranuar për emrin “Republika e Maqedonisë Veriore” dhe shtetësinë “e Republikës së Maqedonisë Veriore”, Greqia mbrëmë ka parashtruar edhe dy kërkesa, që nuk ishin pjesë e kornizës së dakorduar të Marrëveshjes Kocias-Dimitrov në Bruksel. Edhe atë:
1. Gjuha të mos shkruhet “Macedonian” ashtu siç është e regjistruar tani në OKB, por me shkrim latin “Мakedonski” pa asnjë përkthim
2. Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë të mos jetë pas ftesës për anëtarësim në NATO, por Maqedonia fillimisht të organizojë referendum me rezultat pozitiv, njëkohësisht ta ndryshojë Kushtetutën dhe pastaj të presë të ftohet nga NATO dhe BE.
Ndërsa opsioni i tretë është që marrëveshja të shtyhet për disa muaj – shkruan Antonio Milloshoski, Ish Ministër i Jashtëm.
Ambasadori amerikan Xhes Bejlli tha se SHBA-të inkurajojnë palët ta zgjidhin problemin, pasi kjo do të jetë në favor të gjithë rajonit.
Negociatat po vazhdojnë mes dy vendeve me ndihmë të OKB-së. ajo që veçanërisht po ndodh ia lë atyre ta diskutojnë, por ne ashtu si BE-ja dhe shumë të tjerë shpresojmë që këto negociata të vijnë te një zgjidhje të përbashkët të pranueshme, që njerëzit e kanë kërkuar për një kohë të gjatë – pohoiXhes Bejli, Ambasador i SHBA-ve.
Mediat greke nga ana tjetër raportojnë se negociatat për çështje teknike tashmë kanë përfunduar dhe se gjithçka varet nga kryeministri Zoran Zaev.
Anesa Aliti Salihu


