Stefan Bogoev do të mbrohet në liri pasi Këshilli Penal i Gjykata Themelore në Shkup ka pranuar kërkesën e tij për garanci dhe ka shfuqizuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas vendimit të gjykatës, Bogoev ka depozituar garanci në vlerë prej 55.000 eurosh në kundërvlerë të denarëve, me qëllim sigurimin e pranisë së tij në procedurën e mëtejshme penale.
“Garancia e përcaktuar përbëhet nga fonde në para të gatshme në shumë prej 55.000 eurosh në kundërvlerë të denarit, në favor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kjo shumë deponohet si garanci për të siguruar praninë e të dyshuarit gjatë zhvillimit të procedurës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Përveç pranimit të garancisë, gjykata ka vendosur edhe masa paraprake ndaj të dyshuarit, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale. Këto masa përfshijnë sekuestrimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e kalimit të kufirit shtetëror.
Nga Gjykata Themelore në Shkup theksojnë se, në rast se i dyshuari nuk respekton masat e vendosura, gjykata mund të shqyrtojë dhe të vendosë masa më të rrepta për të garantuar praninë e tij në procesin gjyqësor.


