Bisedimet për zgjerimin e shumicës parlamentare dhe koalicionit Qeveritar ende nuk kanë filluar. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, thotë se përkundër vullnetit të mirë dhe qëndrimeve pro zgjerimit në një bllok pro evropian, ende nuk ka bisedime zyrtare për përfshirjen e ASh-së në Qeveri.
Edhe partnerët e koalicionit do t’i njoftojë pasi të jenë sqaruar detajet programore dhe kadrovike me ASh-në.
“Kam biseduar me të gjithë partnerët e koalicionit. Edhe sot kam bisedime me një pjesë të mirë të partnerëve të koalicionit për tema me rëndësi për punën e Qeverisë dhe me rëndësi për qytetarët. Edhe me Alternativën kam biseduar, me kryetarin e saj Afrim Gashi, por s’kemi biseduar për detajet për hyrjen e një partneri të ri në Qeveri, pasi detajet e tilla nuk i kemi diskutuar as me partnerin potencial dhe këtë e konfirmoi edhe kryetari i ASh-së.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
ASh konfirmon se ende nuk ka zgjedhur Komisionin, i cili do të autorizohej për zhvillimin e bisedimeve për hyrje në Qeveri.
“Brenda javës do të mbahet mbledhja e Kryesisë së partisë ku do të formohet komisioni për bisedime me Qeverinë. Më pas do të organizohet edhe referendum nëpër degë dhe do të kërkohet mendimi i strukturave lokale.” , thuhet në përgjigjen me shkrim të ASh-së.
Kreu i Aleancës, Arben Taravari, pas Kuvendit Qendror të partisë, deklaroi se veç zërave pro përfshirjes në ekzekutiv ka edhe zëra kundër.
Edhe në kuadër të koalicionit qeverisës, jo të gjithë partnerët janë të lumtur për një zgjerim të tillë, pasi do të duhet të lëshojnë dikasterë dhe poste drejtuese për partnerin e ri.
Kundër janë deklaruar Alternativa, grupi i të revoltuarve të BDI-së, me bartës nënkryetarin e kësaj partie Izet Mexhiti, si dhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit./TVM 2