Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhëna rreth pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku sipas uebfaqes së këtij institucioni nga raportimet e 2.410 qendrave nga 5.199 gjithsej, pjesëmarrja deri në orën 14:00 në rang vendi është 35,61 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga ana tjetër, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me ecurinë e procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Duke folur për numrin e vogël të qendrave që raportuan të dhëna fillimisht, Celibashi tha se kjo ka ndodhur për faktin se aplikacioni i KQZ-së është sulmuar.
“Ka në raste sporadike pezullim të përkohshëm të votimit, qoftë për çështje të identifikimit elektronik, por edhe problematika të tjera, kryesisht konflikte ndërmjet anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, por të gjitha këto konflikte në pjesën më të madhe kanë qenë të karakterit të administrimit të procesit zgjedhor dhe nuk ka pasur konflikte që mund ta vendosin në rrezik zhvillimin e procesit apo integritetin e procesit”, tha Celibashi.
Procesi i votimit në Shqipëri ka filluar në orën 07:00 dhe ai zyrtarisht pritet të përfundojë në orën 19:00.
Në këto zgjedhje, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë.
Janë regjistruar dy koalicione zgjedhore, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.
Gjithashtu 10 parti politike garojnë më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe 5 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit në disa qytete.
Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit.
Risia e këtyre zgjedhjeve është procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja
Për personat e infektuar me koronavirus që ndodhen në karantinë apo trajtim spitalor, sipas KQZ-së, ky institucion nuk e ka sistemin dhe procedurën e dërgimit të kutisë së votimit në shtëpinë e atyre votuesve që për arsye të ndryshme nuk e kanë të mundur të dalin nga banesa.



