Qytetarët në 38 komunat e Kosovës votuan më 12 tetor për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja komunale.
Votimet u zhvilluan pa ndonjë incident të rëndë.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, në 21 komuna qytetarët kanë zgjedhur qysh në rundin e parë krerët e komunave, ndërkaq në 17 të tjerat do të zhvillohet rundi i balotazhit.
Prishtina, kryeqendra e Kosovës, është në mesin e komunave që do të shkojë në balotazh, kur do të përballen LDK-ja dhe LVV-ja.
Në rundin e parë, LVV-ja dhe PDK-ja fituan në tre komuna, LDK-ja në dy, AAK-ja dhe Nisma e kanë fituar nga një komunë, sikurse edhe Ramiz Lladrovci me listën e tij në Drenas.
KQZ-ja tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përkatësisht të asamblistëve, votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe me postë./ REL