09 September
Integrimi euro-atlantik i vendit, zgjidhja e Kontestit rreth emrit me Greqinë, kthimi i borxhit publik dhe shumë tema të tjera “të mëdha” pritet të dominojnë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Ekspertët vlerësojnë se gjithçka mund të jetë në fokus të partive politike, por jo edhe nevojat reale të qytetarëve. Sipas analistit, Albert Musliu fushata do të jetë e kombinuar, megjithatë kah “temat e mëdha” këtë herë duket se do të anojë edhe opozita.
Sipas paralajmërimeve më shumë do të kemi politikë qendrore sesa politikë lokale. Uroj që kandidatët më shumë të koncentrohen në politikën lokale. Por fatkeqësisht në Maqedoni edhe politika lokale varet prej asaj qendrore. Së paku eksperienca na ka mësuar ashtu. Në zgjedhje lokale opozita insiston në çështje lokale, ndërsa pozita në çështje të përgjithshme dhe çështje qendrore. Kësaj radhe e shohim se edhe partitë opozitare insistojnë në çështje të përgjithshme dhe besojnë se ashtu mund të përfitojnë edhe ta degradojnë oponentin edhe të përfitojnë më shumë vota- tha analisti politik Albert Musliu
Politikanët mendojnë globalisht por veprojnë lokalisht, andaj është e rëndësishme ta kuptojnë se nevojat e përditshme të qytetarëve duhet të jenë në fokus të tyre, porosit drejtori i Institutit “Integra”, Lupço Ristovski.
Individi, qytetarët, interesi i tyre, interesi i tyre ordinar, i përditshëm patjetër të jetë në vend të parë dhe të gjitha politikat patjetër t’i lidhin me atë matricë, me matricën që për nevojat e përditshme njerëzve t’iu përmirësohet cilësia e jetës! Politika është politikë. Temat e mëdha kanë rëndësi, por do të vijnë edhe zgjedhjet parlamentare, dashtë Zoti dhe atëherë mund të mendohet edhe në ato tema. Pra, politikanët kur ngrenë tema të mëdha para zgjedhjeve lokale mendojnë vetëm për veten dhe pozitën e tyre, nuk mendojnë për pozitën e tyre. Patjetër të ndodh një kthesë. Pres që pak mençuri do të hyjë në funksion tek partitë politike- tha Lupço Ristovski, Instituti “Integra”.
Kampanja para-zgjedhore do të fillojë më 25 shtator, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor.
Anesa Aliti

