Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës Bajram Rexhepi nga radhët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim akuzoi kundërkandidatin e tij Bilall Kasami se po ndërton bulevardin “Boris Kidriç” pa standarde dhe pa leje adekuate.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike në Tetovë që të fillojë menjëherë hetimin sepse kjo është një shkelje drakonike e ligjit për ndërtim dhe sipas nenit 244 A është vepër penale për të cilën parashihet burg prej 3 deri në 8 vite burg. Ftojmë edhe inspektoratin shtetëror të ndërtimit që menjëherë të fillojë procedurat se si mund një bulevard ndër më të rëndësishmit e qytetit tonë, të ndërtohet pa leje ndërtimi”, tha Bajram Rexhepi. Kandidat për kryetar i AKI.
Nga kabineti i kreut të Komunës së Tetovës Bilall Kasami me kundërpërgjigje. Thonë se për këtë rrugë ka leje ndërtimi ndera konferencën e Rexhepit e cilësuan si dështim në mungesë të programit.
“Komuna e Tetovës e demanton këtë lajm, pasi për rrugën në fjalë ka LEJE NDËRTIMI dhe të gjitha procedurat paraprake duke ia bashkangjitur edhe vendimin e këshillit!
Kjo pres konferencë është një dështim nga ana e kandidatit, pasi në mungesë të programit dhe vizionit të tij politik, Bajram Rexhepi shëtitet “jerrëm” rrugëve të qytetit vetëm e vetëm për t’u shfaqur para mediave! Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e propagandës politike!”, thonë nga Kabineti i Bilall Kasamit.
Nga kabineti i Kasamit paralajmëruan padi për shpifje ndaj Bajram Rexhepit nëse ky i fundit nuk kërkon falje publike./Alsat.mk