Konkurrenca mes partive shqiptare, në Maqedoni është e dukshme. Se si shihen raportet mes partive politike shqiptare tanimë kur kemi një garë mes BDI-së, BESËS, ASH dhe PDSH, e më pak nga partitë tjera, analisti Aladin Demiri, por edhe politologu nga Kosova, Sadri Ramabaja mendojnë se është një garë demokratike, por secili jep mendimin se sa fuqi kanë këto parti të depërtojnë e të bëjnë për vete qytetarin. Për Ambasadorin e Francës, në Maqedoni, konkurencën mes partive shqiptare në vendin tonë e sheh si dobiprurëse, raporton Almakos.
“Demokracia është një formë e qeverisjes. Ky rend mëton t’ju ofrojë të gjithë qytetarëve të drejta të barabarta, por duke nënkuptuar me këtë edhe një varg detyrimesh.
Në Republikën e Maqedonisë, vetë sistemi politik, me gjithë dobësitë e ndjeshme, ofron mundësi reale që shqiptarët, si komb shtet formues në një të ardhme të afërt, edhe në rrafshin kushtetues-juridik, të jenë faktor politik.
Pjesëmarrja në strukturat e pushtetit, rrjedhimisht edhe në garën demokratke për ndarjen e këtij pushteti, partive politike shqiptare ju krijon hapësirë për të reflektuar qartë vullnetin politik të qytetarëve që përfaqësojnë, interesin e të cilëve ato mbrojnë.
Sidoqoftë, pjesëmarrja në garën për pushtet, nënkupton edhe mundësi për reflektim politik. Çasti historik që kalon Maqedonia, tashmë pasi dështoi projekti Rus për mbajtjen në pushtet me çdo kusht të VMRO/DPMN-së, kërkon qasje shumë serioze nga faktori politik.
Platformat politike përmes të cilave garojnë katër subjektet shqiptare, nuk krijon predispozita që faktori shqiptar t’ i maksimalizoj dhe realizoj pritshmëritë politike në Republikën e Maqedonisë.
Shkapërderdhja e trupit eletoral, pa kritere të mirëfillta programore e politike, në njërën anë dhe gara e paprincip për pushtet, krijon hapësirë për dobësimin e faktorit politik”, thotë politologu nga Kosova Sadri Ramabaja, për Almakos.
Ramabaja, në forcat politike shqiptare, që marrin pjesë në zgjedhjet lokale e sheh konkurencën në dy blloqe, duke analizuar se si u shpërbë PDSH-ja dhe se si inkuadrohet në arenën politike, në Maqedoni Lëvizja Besa. Ai nuk përjashton faktin që partitë shqiptare duhet të përqëndrohen në komunat si Strugë dhe Kërçovë, ku bëhet një luftë mes palës maqedone dhe shqiptare, për të qenë një actor politik, në krye të vendit. Dhe për këtë ai shprehet se partitë shqiptare duhet të kenë bashkëbisedime me shtetin e Shqipërisë dhe Kosovës. Ku edhe pritet të ketë zgjedhje edhe në Kosovë, me çrast bashkëpunimet mes këtyre shteteve do të çojë faktorin shqiptar në histori, vetëm nëse ka bashkëpunime të mirëfillta.
“Aktualisht katër forcat politike që marrin pjesë në garën për pushtetin lokal, fare lehtë do të mund të përqëndroheshin në dy blloqe politike.
Njërit prej këtyre blloqeve, gjithnjë sipas pikëpamjes time, do të duhej t’ i printe Aleanca për Shqiptarët, si forcë politike e Qendrës së djathtë, e në anën tjetër, BDI, si formacion politik që do të mund të profilohej si forcë politike e Qendërs së majtë (socialdemokrate).
Konkurenca mes këtyre dy blloqeve do të ishte në dobi jo vetëm të demokratizimit të brendshëm të këtyre forcave politike, por edhe reflektimit në përputhje me interesin nacional. (Ligji për gjuhën ishte produkt i kësaj logjike të shëndetshme politike).
Zgjedhjet parlamentare të fundit, me të drejtë, dërguan pothuajse në histori PDSH- në të M. Thaçit. Me këtë akt, elektorati shqiptar i dha një leksion të mirë personaliteteve autoritariste dhe kuazinacionaliste, që ditën angazhoheshin për kauzën shqiptare, ndërkaq natën dhe në prapaskenë bashkëpunonin me forcat më retrograde dhe më antishqiptare maqedone..!
Ndërkaq, krijimi i hapësirës për depërtimin në skenën politike të BESËS, si formacion politik që përfaqëson de fakto interesat e neootomanizmit, paraqet dëmin më të madh që i bëhet faktorit shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare.
Fatkeqësia është se kjo forcë kuazipolitike, di të manipulojë jo vetëm me ndjesitë nacionale, po edhe me religjionin. Për rrjedhojë, manipulimi me një kategori të qytetarëve tanë në maqedoni mbetet fare i mundshëm.
Për këtë, mendoj se BDI dhe ASH, në balotazh duhet të jenë faktor përbashkues dhe mos të lejojnë humbjen e komunave si Kërçova, Struga etj.
Do të ishte në dobi të etablimit politik të faktorit shqiptar që forcat politike shqiptare në Maqedoni të kenë bashkëpunim me simotrat e veta në dy Republikat shqiptare – në Shqipëri dhe Kosovë.
Duke pas parasysh që historikisht, e majta shqiptar që prej Rilindjes e tutje, ka qenë faktori politk që ka pri në ndërgjegjësimin dhe krijimin e Ndjesisë nacionale dhe vetë Shtetit Shqiptar, pres që kjo traditë pozitive e nacionalizmit progresiv të vijë në shprehje edhe në kuadër të këtij bashkëpunimi mes faktorit politk në gjithë hapësirën shqiptare.
Zgjedhjet lokale në Maqedoni, bashkë me ato në Kosovë gjatë shtatorit dhe tetorit, për shumëçka, pres të jenë plebishitare. Shih për këtë, ato marrin edhe karakter historik”, tha Sadri Ramabaja, për Almakos.
Për ambasadorin e Francës, në Maqedon, Kristian Timonie, (për gazetën Koha) thotë se konkurrenca mes partive shqiptare e ka në thelb demokracinë, sepse qytetari mund të zgjedh lirshëm, vetëm nëse ajo demokraci nuk keqpërdoret.
“Konkurrenca midis partive në vetvete është e shëndetshme dhe dobiprurëse: kjo është edhe thelbi i demokracisë. Ajo nuk duhet të përdoret për të mbjellë frikë dhe dhunë, por duhet të drejtohet nga respektimi i zgjedhjes së lirë të individëve. Ky ka qenë një proces i gjatë në vendet tona, por është nder i qytetarëve për ta respektuar atë. Në këtë drejtim, unë e mirëpres punën e organizatave joqeveritare dhe aktivistëve, të cilët shpesh janë të rinj, e të cilët i takova në muajin dhjetor nëpër vendvotime. Ata nuk kishin çdoherë detyrën e lehtë, por ju them troç se meritojnë mbështetjen dhe admirimin tonë”, thotë ambasadori i Francës, Timonie.
Për analistin Aladin Demiri, zgjedhjet lokale që po afrohen tregojnë një egërsi mes aktorëve politik shqiptar. Raportet mes partive shqiptare i sheh si asnjëherë më parë në gjendje të vështirë dhe vë theksin te BDI-ja, e cila kërkon shpëtimin nga LSDM-ja, në këto zgjedhje lokale.
“Këto zgjedhje lokale, që janë në prag, kanë egërsinë brenda politikës së partnerëve politike shqiptare. Këta zgjedhje kishin si primare eksistencën e partive politike, në atë mënyrë ku edhe banalizohen zgedhjet.
Raportet mes këtyre partive si kësaj herë nuk kanë qenë më të këqia, me një mënyrë ata janë duke luftuar jo si të fitojnë, por si ta zhbëjnë njëra – tjetrën, deri këtu është koncepti politik.
Ajo që është brengosëse është se BDI-ja kësaj radhe e kërkoi shpëtimin te LSDM-ja, kjo është një situatë që rëndon. Por, a është e shëndetshme kjo situatë politike, aspak, për arsye se shëndeti politik kërkon edhe mençuri politike, kërkon edhe demokraci të avancuar. Ndërsa, te partitë politike shqiptare ajo lexohet: Jo si të fitojë, por se si ta zhduk tjetrin! Ko e bën të rëndë situatën dhe në këtë gjendje të rëndë, ne do të kemi zgjedhje lokale”, thotë analisti Aladin Demiri.
Demiri shton se nuk sheh asnjë kualicion të mirëfilltë mes partive, në interes të qytetarëve apo në përparimin e Maqedonisë.
Delvina Kërluku
Almakos.com

