Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si organizim të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga VMRO-DPMNE për pjesëmarrje në një miting në Kumanovë, para konsullit të Serbisë në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas LSDM-së, paralajmërimet e bëra prej muajsh se Vuçiq ushtron ndikim politik në Maqedoninë e Veriut po marrin konfirmim publik përmes aktiviteteve të organizuara nga partia në pushtet, shkruan gazeta KOHA.
“Prej muajsh kemi paralajmëruar se Aleksandar Vuçiq ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet politike në vend. Sot, VMRO-DPMNE po organizon hapur qytetarë të Maqedonisë për të marrë pjesë në një miting para Konsullit të Serbisë në Kumanovë, në mbështetje të Vuçiqit. Kjo është dëshmi e qartë se interesat e huaja po vendosen mbi interesat shtetërore të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Partia opozitare thekson se në materialet promovuese që po shpërndahen në vend shihet qartë se grumbullimi i pjesëmarrësve është paraparë para Konsullatës së Serbisë në Kumanovë, prej nga pastaj do të nisen drejt Beogradit.
“Kjo paraqet një ndërhyrje të papranueshme dhe të turpshme në punët e brendshme të një shteti tjetër. Asnjë parti serioze evropiane nuk organizon qytetarët e vet për demonstrata politike në mbështetje të liderëve të huaj. Ky veprim është në kundërshtim me parimet demokratike dhe me orientimin evropian që deklarativisht e promovon qeveria”, vlerëson LSDM. Në reagim thuhet se kjo situatë lidhet me atë që, sipas tyre, institucionet evropiane e kanë identifikuar si konceptin e “Botës Serbe”, përmes së cilit, Serbia përpiqet të ushtrojë ndikim politik dhe strategjik në vendet e rajonit.
“Ky është pikërisht modeli që Parlamenti Evropian e ka përshkruar si ‘Bota Serbe’ – rrjet ndikimi politik, institucional dhe mediatik përmes të cilit Beogradi ndërhyn në proceset e vendeve fqinje. Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë pjesë e këtij projekti politik”, thekson LSDM.
Socialdemokratët shprehin shqetësim edhe për atë që e quajnë rritje të ndikimit të strukturave serbe dhe ruse në vend. “Maqedonia e Veriut prej kohësh përballet me presione dhe ndikime të vazhdueshme nga qendra të ndryshme të fuqisë në rajon. Në vend që të mbrojë sovranitetin dhe interesat shtetërore, qeveria po i hap dyert ndikimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat evropiane dhe demokratike”, thuhet më tej. LSDM pretendon se në organizimin e këtij aktiviteti rol aktiv ka pasur edhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
“Sipas informacioneve tona, në këtë organizim është përfshirë drejtpërdrejt Ivan Stoilkoviq, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Mickoski, pas kontakteve dhe koordinimeve të realizuara ditët e fundit me funksionarë të lartë të pushtetit në Serbi. Kjo nuk është rastësi, por pjesë e një bashkërendimi politik që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm”, deklaron LSDM, ndërsa e lidh këtë zhvillim me një bosht më të gjerë politik në rajon. “Qytetarët po e shohin qartë se bëhet fjalë për të njëjtin rrjet politik dhe ideologjik – Orban, Vuçiq dhe Mickoski. Ndërkohë që VMRO-DPMNE paraqitet si mbrojtëse e interesave maqedonase, funksionarët e saj mobilizojnë qytetarë për të mbështetur projekte dhe liderë politikë të huaj”, theksojnë nga LSDM. Në fund të reagimit, LSDM bën thirrje për reforma dhe përforcim të kursit evropian të vendit.
“Ka ardhur koha të ndalet shërbimi ndaj interesave të huaja në territorin e Maqedonisë së Veriut. Qytetarët meritojnë institucione që punojnë për shtetin dhe jo për qendra të tjera të pushtetit. Reformat duhet të fillojnë menjëherë. E ardhmja jonë është në Evropë dhe jo në projekte që e largojnë vendin nga standardet demokratike evropiane”, përfundon reagimi i LSDM-së. (koha.mk)


