Shpërndarje të sërishme të Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare, siç kërkon VMRO DPMNE, nënkupton pasiguri shtesë për vazhdimin e mandatit apo më saktë të afatit 18 mujor për ngritjen e aktakuzave nga PSP.
Lideri i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski mbrëmë deri në mesnatë nuk arriti të bëj shumicë parlamentare për formimin e Qeverisë, pasi kryesia e BDI-së pas disa seancave maratone nuk mori vendim për koalicion eventual me Gruevskin dhe VMRO-në dhe i la të hapura të gjitha opsionet.
Pas kësaj, VMRO DPMNE doli me njoftim ku thuhet se “mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është vendim i duhur ndërsa në funksion të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së prioriteteve reformuese në plan të parë”.
Prokurorja publike Katica Janeva dhe ekipi i saj kanë edhe pesë muaj ( deri 4 qershor gjegjësisht 30 qershor) për hapjen e hetimeve të reja dhe ngritjen e aktakuzave për rastet që dalin nga “bombat” e LSDM-së.
Kjo del nga Ligji aktual për PSP-në, ku parashihet që PSP ka 18 muaj “nga marrja e lëndëve” për hapjen apo mbylljen e hetimeve dhe aktakuzave. Ndryshe, PSP lëndët dhe materialet e Prokurorisë publike dhe LSDM-së i mori me dy herë, më 4 dhjetor 2015 dhe 30 dhjetor 2015.
Ndërkohë, Rezoluta për Maqedoninë, që raportuesi për Maqedonisë Ivo Vajgëll një javë më parë e dorëzoi në Parlamentin Evropian, sot është një nga temat e eurodeputetëve në Bruksel. Në Rezolutë Vajgëll thekson shqetësimin për sulmet kundër Prokurorisë Publike Speciale, shpreh keqardhje për ngecjet e reformave në gjyqësor, por shënon edhe progresin e caktuar në reformimin e administratës publike, si dhe përshëndet respektimin e lirive themelore në zgjedhjet e vitit 2016.
Përveç kësaj, Rezoluta kërkon vullnet politik të partive për të kapërcyer atmosferën e ndarjes dhe rivendosjen e dialogut, sidomos përmes parlamentit, si një element i rëndësishëm i zhvillimit demokratik. Vajgëll në dokument thekson se duhet të forcohen funksionet e mbikëqyrjes dhe të ketë funksionim të papenguar të komisioneve parlamentare për bisedat e përgjuara dhe të kundër-zbulimit.