Gazetari Ferdinand Samarxhi ka folur për zgjedhjen e Joan Pelushit, Fortlumturisë së Tij si kryepiskop, pas ndarjes nga jeta të kryepiskopit Anastas Janullatos.
Samarxhi tregoi të gjithë kalvarin e vujatjeve të kryepiskopit Joan, duke e quajtur një nga figurat që ka kontribuar në ngritjen e Kishës Ortodokse.
Samarxhi tha se, kryepiskopi Joan ka një histori të ndritshme, pasi krahas kryepiskopit Anastas, vunë themele të rëndësishme dogmatike të rrugës së krishtërimit shqiptar që ka vlera të veçanta në historinë e Krishtërimit.
“Ai lindi më 2 janar të 1956-ës dhe në vitin 1975 do të pagëzohej fshehurazi, do të krijonin kishën e nëndhenshme. Mendoni që në atë kohë po të përmendje fjalën Zot përfundoje prapa hekurave, kurse ai u pagëzua në terrin e egër komunist. Pra ishte një dritë që atij i kishte lindur në zemër për dashurinë për Krishtin dhe do të merrte një dashuri që ai do të përballej, do të përjetonte kalvarin e egër të kryqit dhe ai do të prodhonte e punonte në Shqipëri.
Pastaj në vitin ’90 duke parë edhe dritën te Krishti që kërkonte që ai t’i shërbente më tej Krishtit, të hynte në rrugën e tij baritore, ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të studiojë atje pikërisht në vitet ’90 kur të gjithë shqiptarët kushdo që ikte e quante një lavdi ose fitore të madhe, ky njeri, ky klerik, me dashuri te Krishti, duke përqafuar atë rrugë të rëndë të kryqit që prevaloi vlerat e dashurisë më të skajshme për kryqin, ai do të kthehej në Shqipëri dhe do të kontaktojë me kryepiskopin Anastas ku me dëshirën e tij të madhe do të kthehet në Shqipëri dhe menjëherë do të bëhet pedagog në Akademinë Teologjike, pastaj do të shërbejë dhe brenda atij viti do të bëhet eksar, pastaj dekan i Akademisë Teologjike dhe në 1998 si Mitropolit i Korçës.
Pra një biografi e udhës së kryqit, e përshkallëzuar në rritje, në ecjen e tij të devotshmërisë drejt Jezusit dhe kjo është një diagramë e shkëlqyer ndryshe nga të gjithë klerikët e tjerë.
Fati i madh që kryepiskopi përgatiti një sinod shqiptar dhe sinodi me unanimitet, e përzgjodhi që më parë atë, kur do t’i jepej lamtumira e fundit kryepiskopit Anastas për gjithë veprën madhështore që bëri që është një vepër e lavdishme që gjithmonë historia do ta krenojë, ai do të quhet mëkëmbës kryepeshkopal, do të emërohet para se Sinodi i Shenjtë ta emërojë, ta zgjedhë me dekret. Para një jave e patë që u dekretua dhe më datë 28 do të bëhet fronëzimi ku do të vijnë patriarkët më të mëdhenj të gjithë botës.
Do të vijnë, kanë kërkuar me insistim, ashtu siç erdhi një pjesë e madhe edhe gjatë ceremonisë mortore dhe në zgjedhjen nga Sinodi i Shenjtë do të shihni që kanë ardhur telegrame nga të gjithë hierarkët, patriarkët më të mëdhenj të botës së krishterë, të katolicizmit, të ortodoksisë, kudo.
Historia e imzot Joanit është shumë e ndritshme në fushën e tij. Ai është një akademik, ka botuar, ka përkthyer, është autor i librave dogmatikë të besimit të krishterë. Krahas kryepiskopit Anastas, ata të dy vunë themele të rëndësishme dogmatike të rrugës së krishterimit shqiptar që ka vlera të veçanta në historinë e krishterimit”, tha Samarxhi ne emisionin e Rudina Magjistarit.