Alsat 2019-07-24T15:56:20+02:00
Hyrja e propozim – ligjit për Prokurorinë publike në procedurë parlamentare i nxori në sipërfaqe qëndrimet e ndryshme politike për emërimin e kryeprokurorit në Prokurorinë e kriminalitetit të organizuar. Pasi para pesë ditëve kryeministri paralajmëroi bashkimin e PSP-së me këtë Prokurori dhe e përmendi emrin e prokurores Vilma Ruskoska si shefe të kësaj Prokurorie, sot ai sqaroi se kjo do ishte zgjidhja logjike, pasi edhe në këtë moment ajo është në këtë pozitë. Por, ai la hapësirë që zgjedhja e kryeprokurorit të Prokurorisë së re të bëhet sipas procedurës ligjore.
Unë nuk e propozova Villma Ruskoskën për shefe. Edhe mua nuk më pëlqente Villma Ruskoska para 5, 7, 9 viteve, kush më pyet mua për këtë punë, opozita ose kushdo qoftë. Prokurorët i zgjedh Këshilli i prokurorëve, le të konkurrojnë atje të gjithë, çdo prokuror brenda çdo prokurorie është i pavarur në hetime. Subordinimi dhe koordinimi ekziston me Kushtetutë, dhe ai konsultohet me shefin e tij, çdo prokuror me kryeprokurorin dhe ky është proces shumë normal që ekziston në të gjitha shtetet”,tha Zoran Zaev, kryeministër.
Përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri në këtë mënyrë më herët propozoi edhe BDI, duke vlerësuar se procedura e emërimit të kryeprokurorit të ri nuk duhet të bëhet në Qeveri apo në Kuvend. Për VMRO-DPMNE-në, Ruskoska është zgjidhje e papranueshme për shkak të lidhje së saj me pushtetin. Propozimi i Aleancës për Shqiptarët është më i ndryshmi se të gjithë të tjerët. Ata kërkojnë në krye të prokurorisë së re të jetë i huaj. Pikërisht propozimi për të cilin angazhohet partia e Zijadin Selës, është më i pranueshëm për ish prokurorin, Aleksandar Nakov. Ai thotë se emërimi i kryeprokurorit nga jashtë është zgjidhje reale ndaj të cilit nuk do ketë ndikime politike, ndërsa nga ana tjetër do i përmirësojë pritshmëritë nga mosfunksionimi i sistemit gjyqësor, sidomos pas dëshpërimit nga komprometimi i Katica Janevës.
Sërish propozimi nga partia politike na çon drejtë humnerës. Jam i bindur se sistemi jonë, edhe sistemi gjyqësor është në kolaps total. Kështu që zgjidhjet e tilla nuk mund t’i pranoj, sidomos kur kemi parasysh njerëzit që janë në Këshillin e prokurorëve, nuk dua të përmend emra, por nuk mund të dalloj asnjërin në Këshill që ka kapacitet ta kryejë këtë funksion, e madje edhe t’i jepet e drejta edhe të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për prokuror të ardhshëm special në departamentin e kriminalitetit të organizuar”-pohoi Aleksandar Nakov, ish prokuror.
Më parë Ruskoska në deklaratë për mediat tha se do ishte nder ta kryesojë Prokurorinë e re, por do presë ta shohë versionin përfundimtar të Ligjit që dje u fut në procedurë parlamentare.
ALSAT
Loading…



