Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, së bashku me NOMAGAS dhe operatorin grek të sistemit të transmetimit të gazit DESFA, kanë harmonizuar hapat e ardhshëm për realizimin e interkonektorit të gazit midis Maqedonisë dhe Greqisë – një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike për shtetin dhe rajonin.
Në takimet e punës të mbajtura në Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, në të cilat morën pjesë ministrja Sanja Bozhinovska, drejtori ekzekutiv i NOMAGAS në Shkup, Nedim Rama, si dhe drejtoresha ekzekutive e DESFA, Maria Sfercuza, u shqyrtuan aktivitetet aktuale për ndërtimin e interkonektorit në të dy anët e kufirit, si dhe dinamika për realizimin e detyrimeve kontraktuale.
Në fokus të bisedimeve ishte konfirmimi i angazhimit të përbashkët që projekti të realizohet në përputhje me afatet e përcaktuara, përmes koordinimit intensiv ndërmjet institucioneve dhe operatorëve, me qëllim sigurimin e një qasjeje të re, të sigurt dhe të diversifikuar ndaj gazit natyror për Maqedoninë
Në takime u konfirmua vlerësimi i përbashkët se interkonektori i gazsjellësit do të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, në përputhje me afatet dhe planet e përcaktuara për realizim.
Në takimin midis ministres Sanja Bozhinovska dhe drejtoreshës ekzekutive të DESFA, një theks i veçantë iu kushtua edhe nismës rajonale “Korridori Vertikal i Gazit”, e cila përfaqëson një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e lidhjes energjetike, forcimin e sigurisë së furnizimit dhe integrimin e tregjeve kombëtare në rrjedhat më të gjera energjetike evropiane.
„Interkonektori i gazsjellësit me Greqinë është një projekt strategjik që e forcon drejtpërdrejt sigurinë energjetike të shtetit dhe hap mundësi të reja për diversifikimin e furnizimit. Qëllimi ynë është që Maqedonia të sigurojë qasje të qëndrueshme në burime dhe drejtime të ndryshme të energjisë, ndërsa këto lidhje infrastrukturore janë kyçe për më shumë pavarësi, konkurrueshmëri dhe rezistencë të sistemit energjetik”, theksoi ministrja Sanja Bozhinovska.
Drejtori ekzekutiv i NOMAGAS, Nedim Rama, theksoi se realizimi i suksesshëm i projektit kërkon koordinim të vazhdueshëm dhe partneritet mes të gjitha palëve të përfshira, ndërsa drejtoresha ekzekutive e DESFA, Maria Sfercuza, konfirmoi angazhimin e operatorit grek për realizimin në kohë dhe me sukses të interkonektorit.
Interkonektori i gazsjellësit me Greqinë përfaqëson një investim kyç në të ardhmen energjetike të Maqedonisë. Me realizimin e tij, shteti do të sigurojë qasje në burime të reja të gazit natyror, do ta forcojë sigurinë e tij energjetike dhe do ta përmirësojë pozicionimin në infrastrukturën energjetike rajonale dhe evropiane.


