Zeqirija Ibrahimi: Vota për Alternativën është alternativë për Tetovën

Zeqirija Ibrahimi: Vota për Alternativën është alternativë për Tetovën

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi para të pranishmëve në Konventën Promovuese të partisë Alternativa për në Kuvendin Komunal në Tetovë, përmendi rëndësinë që kanë për Alternativën zgjedhjet e 20 gushtit.

Apeloi deri te banorët e Tetovës që me 20 gusht të rrethohet numri 6, sepse Tetova ka Alternativë.

Ibrahimi, ndërmjet tjerash tha:” Me paaftësinë e vet kjo komunë e bëri që këshilli komunal ti dështoj dhe sot në muajin gusht të merremi me kampanjën zgjedhore.

Çfarë ka ndryshuar gjatë kohës se ata po qeverisin me Tetovën? Në Tetovë akoma nuk ka ujë, akoma nuk ka parkingje, por ka plot qen, plot gropa. Shtrohet pyetja, këta që erdhën çfarë ndryshuan prej tyre që ikën? Realisht nuk ka asnjë ndryshim, por që tash nuk janë militant të BDI-së, por janë një numër i madh i aktivistëve të Llërcës që janë me kontratë në vepër.

Sa për informacion që të mos harrojmë ato e kanë prerë besën, jo pemët. Një pyetje tjetër dua ta bëj për Aleancën për shqiptarët. E dini se jam kursyer për të mos i sulmuar edhe sonte nuk do t`i sulmoj. Ata e prishën koalicionin zgjedhor me ne duke e përkrahur këtë kryetar komune dhe sot e shajnë ata. Dhe pyetja për ta është a janë penduar që e përkrahën këtë kryetar komune dhe a janë penduar që e prishën këtë koalicion.

Në këtë zallamahi të madhe të partive politike shpesh herë të humbet arsyeja themelore pse duhet votuar dikush e pse jo. Pse nuk duhet votuar BDI-ja dhe tjerët është e qartë, por pse duhet votuar Alternativa.

Opinioni ishte kritik për futjen e Alternativës në qeverisë. Por për fat të mirë të Afrimit dhe për fat të keq timin, Afrimi ka pasur të drejt. A e dini ju që ka një parti politike shqiptare nga viti 1991 që ka shkuar në qeveri dhe që ka një tekst dhe marrëveshje të shkruar dhe e ka bërë publike. Është për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut që Alternativa është futur në qeveri duke pasur një tekst të shkruar dhe për hir të transparencës çdo kush e di se pse jemi futur në qeveri dhe si veprojmë ne.

Të mos kishim qenë ne pjesë e asaj qeverie sot do të ishim bërë Aleancë me Rusinë dhe jo me Bashkimin Evropian.

Sikur të kemi ne shumë këshilltar në Kuvendin komunal unë e di sigurt se do të bëhet shumë mirë për Tetovën.

Me punën e suksesshme të funksionarëve tanë ne nuk e kemi bezdi që të mos shihemi në sy. Prandaj ne sot e kërkojmë votën tuaj pa turp për shkak se e dimë se edhe këta këtu janë të pakorruptuar.

Në këtë shekull të kesh Sharrin këtu e të mos kesh ujë për pije, I ka bërë këta që të dalin në këtë garë. Mos hezitoni, të jeni të bindur se vota për këtë listë, është vota më e mirë për Tetovën. Kjo listë është lista më e mirë për të mirën e këtij qyteti.

Vota për Alternativën është alternativë për Tetovën.“