Aktivisti i njohur shqiptar në SHBA, Ilir Zenku, ka dorëzuar një letër zyrtare te Kongresmeni amerikan Keith Self, duke kërkuar mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të marrë licenca profesionale në gjuhën shqipe.
Nisma, sipas Zenkut, erdhi pas një kërkese personale nga Jon Selimi, djali i Agim Selimit – mik i fëmijërisë së tij, i cili po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje. Zenku e cilësoi kërkesën si një përgjegjësi personale dhe kolektive, duke theksuar se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në procese zyrtare mbetet një betejë e papërfunduar për çdo gjeneratë.

“Është e dhimbshme që edhe sot, pas gjithë përpjekjeve të mëhershme, të rinjtë detyrohen të luftojnë për një të drejtë elementare si gjuha”, theksoi ai.
Letra është përgatitur në bashkëpunim me aktivistin Mevlan Ademi dhe me kontributin e disa veprimtarëve dhe mbështetësve të tjerë. Ajo iu dorëzua drejtpërdrejt Kongresmenit Self gjatë një takimi të organizuar në Chicago nga organizatat “Albanians for America” dhe “Albanian-American Organization for North Macedonia”.
Gjatë takimit, Zenku pati mundësinë të diskutojë drejtpërdrejt me Kongresmenin dhe shefin e stafit të tij për detajet e çështjes, duke ngritur gjithashtu shqetësimet për, siç i quajti ai, “diskriminimet sistematike” ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kongresmeni Keith Self, sipas Zenkut, e cilësoi situatën si një përpjekje për të zhbërë identitetin kulturor të shqiptarëve. “Kjo është tentim për të fshirë një civilizim. Ata do të dështojnë”, citohet të ketë thënë ai gjatë takimit.
Në këtë takim u diskutuan edhe çështje të tjera me interes për komunitetin shqiptar, ndërsa Zenku falënderoi organizatorët dhe donatorët që mbështetën iniciativën, si dhe familjen Saliu për mikpritjen.
Në fund, ai shprehu shpresën që kjo gjeneratë të arrijë ta mbyllë përfundimisht këtë çështje, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mos detyrohen të luftojnë sërish për të njëjtat të drejta.
“Këta të rinj do të kenë përkrahjen tonë të pakushtëzuar deri në fund,” përfundoi Zenku.



