Kryetari i Lëvizjes “Populli”, Skender Rexhepi – Zejd, ka reaguar në lidhje me orientimin e qeverisë aktuale, të cilën ai e ka cilësuar si “kundër BE-së dhe pro agjendës ruse!”
Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë të Zejdit:
Të kesh raporte të mira me administratën Trump është në rregull, por ta bësh këtë “korektësi” në kurriz të marrëdhënieve me BE-në është diletantizëm politik.
Së pari, jam më se i sigurt që vetë presidenti Trump as që e di se ku ndodhet Maqedonia e Veriut, e lëre më të ketë dëgjuar për Mickoskin.
Së dyti, administrata Trump mund t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut vetëm në aspektin politik, ndërsa ndihma në fusha të tjera është e kushtëzuar dhe varet nga “xhepi” i Qeverisë së RMV-së (shembulli më i mirë për këtë është “ndihma” më e re për Ukrainën).
Ndërkohë, Bashkimi Evropian nuk është vetëm një fuqi politike, por edhe ekonomike, duke ofruar mundësi të shumta për investime tejet të nevojshme për vendin dhe qytetarët tanë.
Prandaj, tendenca e qeverisë aktuale monoetnike të RMV-së për të anashkaluar rëndësinë e rrugëtimit evropian nuk është gjë tjetër veçse një devijim nga kursi politik evropian dhe një kahëzim drejt Serbisë dhe Rusisë. Politika e saj pro-SHBA-ve është vetëm një përpjekje për të hedhur pluhur në sytë e opinionit publik.
Maqedonia e Veriut ndodhet në një ngërç politik me Bashkimin Evropian, dhe për këtë përgjegjës është vetë Mickoski, i cili, për të defokusuar opinionin nga kjo gjendje, përdor nacionalizmin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve. Kjo do të thotë se ai po e jetëson agjendën ruso-serbe, natyrisht duke e kamufluar këtë me “miqësinë” me administratën Trump.