Policia ka zbardhur “grabitjen” e djeshme të ndodhur në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkanweb” se sipas policisë, nuk ka pasur grabitje, por ngjarja është simuluar nga menaxheri i karburantit, që ka luajtur paratë në lloto dhe i ka humbur në llotari sportive.
Në pranga për ngjarjen kanë përfunduar shtetasit Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i karburantit; Arsid Haxhija, 22 vjeç, pronari i lokalit që organizonte lotari të palejuara, ku dyshohet se shtetasi Gert Farruku ka humbur shuma të mëdha parash duke luajtur loto.
Nga mbledhja e të gjitha provave është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit Arsid . Haxhija i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi Gert Farruku.
Menaxheri i firmës, shtetasi G. Farruku dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka pasur në loto.
Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit Gert Farruku dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit arsid Haxhija.



