Alsat 2019-10-05T14:24:34+02:00
Komisioneri i lartë i OSBE-së për minoritetet etnike Lamberto Zanier në një intervistë për Alsat e vlerëson si stabile gjendjen aktuale mes komuniteteve në vend megjithatë shoqërinë e sheh si shumë të ndarë. Ai thotë se të gjithë duhet të kenë qasje të njëjtë në institucione dhe në jetën publike të vendit dhe mbështet idenë e edukimit shumëgjuhësor. Ligjin për përdorimin e gjuhëve e cilëson si një kornizë të mirë por fton institucionet të stimulojnë zbatimin e tij duke lënë mënjanë dënimet.
Ambasador, si i shihni marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e institucioneve këtu?
Zanier: Më lejoni të them se e njoh mirë historinë e marrëdhënieve në këtë vend, të paktën që nga fundi i viteve të ’90 deri tani dhe kam parë momente të ndryshme. Mënyra se si i shoh tani, para së gjithash do të thoja se shoh një marrëdhënie stabile dhe paqësore mes komuniteteve dhe kjo është diçka që e kam mirëpritur. Ajo që shoh është se shoqëria, po ashtu si rezultat i strukturës së Marrëveshjes së Ohrit, që mbetet baza nëse dëshironi stabilitet dhe e cila sigurisht duhet të ruhet, akoma është shumë e ndarë. Tani ju duhet të lëvizni që ta bashkoni më mirë shoqërinë sepse duke e bashkuar shoqërinë, ju jepni më shumë mundësi për të gjithë por veçanërisht për grupet që janë më pakicë, për të pasur më shumë mundësi që të bëhen pjesëmarrës të plotë, përfaqësohen më mirë nëpër institucione dhe të përfaqësohen më mirë në secilin aspekt të jetës në shtet, në ekonomi, në secilën degë të administratës, të jetës publike ose qoftë edhe të sektorit privat. Kjo është gjithashtu sfidë, sepse ajo që vërehet është se në rastet ku komunitetet dhe pakicat e izolojnë veten për të mbrojtur veten, për të mbrojtur identitetin e tyre, gjuhën, etj., ata përfundojnë duke e izoluar veten nga aspektet kryesore institucionale të vendit ku jetojnë.
Ju e përmendët megjithatë, shumica e institucioneve tona, akoma kanë numër të vogël të të punësuarve që i përkasin komunitetit shqiptar dhe pakicave të tjera. Si e përshkruani ju këtë gjendje në një shtet që është multietnik?
Zanier: Po, kjo është një situatë tjetër të cilën unë e vërej shpesh në një vend me diversitet të fortë shoqëror në të cilat ka disa zgjidhje artificiale si krijimi i kuotave, etj., gjëra që mund të jenë të vyeshme në fillim por në fund të ditës, është në interes të grupeve pakicë që në institucione të përfaqësohen me njerëzit e tyre më të mirë, jo sepse ekziston një kuotë por sepse kanë njerëz të aftë për të bërë një punë dhe e dëshmojnë këtë, që mund të përparojnë, mund të marrin pozita drejtuese dhe të arrijnë majat jo si rezultat i zbatimit të një marrëveshje por si rezultat i cilësisë dhe pranimit të cilësisë së këtyre njerëzve. Mendoj se kjo duhet të ishte situata ideale. Që kjo të funksionojë, duhet të filloni nga e para. Duhet të filloni nga sistemi arsimor. Të siguroheni që të gjithë të kenë mundësi të barabarta në arsim. Në një vend që ka diversitet, ka diversitet po ashtu në arsim ku secili mëson edhe gjuhën e të tjerëve prandaj ne jemi për edukim shumëgjuhësor dhe kjo nuk duhet të jetë tabu ose problem. Kjo është Maqedonia e Veriut, ka diversitet, ka grupe të ndryshme etnike. Ata duhet të mësojnë të komunikojnë më mirë me njëri-tjetrin në gjuhën e njëri-tjetrit.
Shumë reagime politike dhe institucionale e shoqëruan përgatitjen dhe votimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Si e shikoni ju këtë ligj, nevojën për të dhe zbatimin e tij?
Zanier: Ky është një shembull tjetër i qasjes dogmatike. Mendoj se është mirë që ka një ligj i cili i njeh identitetet e ndryshme në shoqëri dhe që vendos principe të cilat sigurojnë që secili identitet respektohet dhe nuk ka vetëm tolerance, por respekt të plotë në shoqëri. Prandaj, ligji dhe parimet e tij janë të shëndetshëm por në fund është e rëndësishme të shohësh dhe të sigurohesh që secili ka qasje të plotë dhe nuk diskriminohet. Për periudhë më të shkurtër, këshilla ime mbetet gjithmonë e njëjtë; bëhuni pragmatik dhe jo shumë dogmatik. Përdorni më shumë stimulim se sa sanksione. Sigurisht, duhet të ketë mbikqyrje që gjithkush ndjek atë që është përshkruar në ligj dhe të mos ketë bojkot të tij, por mos e teproni me dënime. Përpiquni të stimuloni dhe të jepni shpërblime për ata që e kuptojnë frymën e ligjit dhe angazhohen për të promovuar qasje për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh identitetin e tyre, për të gjitha shërbimet që jepen nga institucionet.
Ju faleminderit për kohën tuaj!
Ju faleminderit!
Alsat
Loading…




