Hapi kryesor është miratimi dhe zbatimi i mëvonshëm i ligjit të ri për hekurudhat, të përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Risia kryesore është se infrastruktura publike hekurudhore mund të përdoret nga hekurudhat private, tha në intervistë për MIA-n, Matej Zakonjshek, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit të EJL-së. Ai thekson se hapja e tregut hekurudhor do të tërheqë ofrues të rinj të shërbimeve dhe shpreson se do të ofrojë rrugë që qytetarët të udhëtojnë më lirë dhe në mënyrë më miqësore me mjedisin dhe bizneset do të mund të operojnë me përfitime më të mëdha ekonomike dhe me kosto të reduktuara.
“Fakti që ka vullnet politik për të përshpejtuar planet për përfundimin e hekurudhës në Korridorin 8, që ka 88 km hekurudhë nëpër pjesën verilindore të Maqedonisë së Veriut, është inkurajues. Pas përfundimit, nga Shkupi do të mund të udhëtohet për në Sofje me tren për 3,5 orë”, thotë Zakonjshek.
Zakonjsek në intervistë flet edhe për gjendjen e infrastrukturës hekurudhore, komenton projektet aktuale për ndërtimin e rrjetit hekurudhor dhe lidhjen rajonale dhe prezanton planet e Komunitetit të Transportit në periudhën e ardhshme.
Jeni në Shkup me rastin e takimit të Rrjetit të Menaxherëve të Infrastrukturës Hekurudhore të Ballkanit Perëndimor dhe Komitetit të 11-të Teknik për Hekurudha të Komunitetit të Transportit. Çfarë duhet të rezultoj nga këto takime dhe cili do të jetë fokusi i veprimeve të ardhshme?
Në Samitin e Hekurudhave për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Beograd në vitin 2021, të gjithë menaxherët e infrastrukturës në rajon nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një Rrjeti të Menaxherëve të Infrastrukturës Hekurudhore për koordinim dhe shkëmbim të rregullt të përvojave. Javën e kaluar, ata mbajtën takimin e tyre të parë në Shkup për të diskutuar se si të zhvillojnë infrastrukturën rajonale hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së, të rivendosin transportin e pasagjerëve dhe të reduktojnë kohën e pritjes në kufi. I gjithë rrjeti hekurudhor në Ballkanin Perëndimor prej rreth 7700 km duhet të integrohet në një rrjet rajonal modern dhe efikas që do të lidhë qytetarët tanë me Evropën dhe më gjerë. Më vjen mirë që i gjithë rajoni është i përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe që mund të llogarisim në bashkëpunimin e shkëlqyer me ministrin Boçvarski dhe ekipin e tij në Maqedoninë e Veriut. Dëshiroj të përgëzoj drejtorin e Hekurudhave të Maqedonisë, z. Lokvenec, i cili u zgjodh kryetari i parë i Rrjetit të Menaxherëve të Infrastrukturës Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor. Shpresojmë që në Shkup të fillojë të shkruhet historia e re e hekurudhave rajonale.
Derik ku është Maqedonia e Veriut në përmbushjen e reformave dhe përshtatjen e legjislacionit të brendshëm me legjislacionin e BE-së, si dhe përmbushjen e standardeve të rrjetit evropian të transportit?
Aktualisht, hapi kyç është miratimi dhe zbatimi i mëvonshëm i ligjit të ri për hekurudhat, i përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Risia kryesore është se infrastruktura publike hekurudhore mund të përdoret nga hekurudhat private. Hapja e tregut hekurudhor do të tërheqë ofrues të rinj shërbimesh dhe shpresojmë se do të ofrojë mënyra që qytetarët të udhëtojnë më lirë dhe në mënyrë më miqësore me mjedisin, ndërsa bizneset të mund të operojnë me përfitime më të mëdha ekonomike dhe kosto të
reduktuara. Praktikisht, kjo do të thotë që Shkupi duhet të lidhet me një hekurudhë moderne me vendet fqinje dhe qytetarët tuaj do të mund të bëjnë një pazar ditor në Selanik ose një vizitë të shkurtër në Beograd. Bashkëpunimi ndërmjet partnerëve rajonalë është i rëndësishëm për arritjen e këtyre synimeve. Jam i kënaqur që ka një mirëkuptim politik në të gjithë rajonin për rëndësinë e hekurudhave, gjë që u shpreh në Samitin e Hekurudhave të vitit të kaluar në Beograd, ku ministrat e Transportit mbështetën Deklaratën e Hekurudhave. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë është e përkushtuar për këtë qëllim dhe me ndihmën e BE-së jam i bindur se e ardhmja e hekurudhave maqedonase dhe rajonale është realisht në hekurudhat.
Si e vlerësoni gjendjen e infrastrukturës hekurudhore në vend, shpejtësinë dhe sigurinë e trafikut, parkun e automjeteve?
Në Maqedoninë e Veriut, shpejtësia dhe disponueshmëria e trenave duhet të përmirësohet. Linja hekurudhore Beograd-Shkup tani është në gjendje të keqe sepse nuk mirëmbahet dhe nuk ka investime në 30 vitet e fundit. Hekurudha në Maqedoninë e Veriut duhet të rindërtohet dhe të përdoret më shpesh nga pasagjerët dhe për transport mallrash.
Rinovimi ose është duke u zhvilluar ose është planifikuar për seksionet kyçe të Korridorit 8 dhe 10 pan-Evropian, dhe ato rrugë hekurudhore e bëjnë Maqedoninë e Veriut një qendër të rëndësishme transporti. Nga njëra anë, Korridori 10 është porta juaj për në pjesën tjetër të BE-së dhe nëpërmjet Korridorit 8 ju lidheni me Detin e Zi dhe Detin Adriatik. Pjesë të Korridorit 10 tashmë janë rindërtuar me mbështetjen e BE-së, por jo pjesa që kalon nga vendi juaj. Linja hekurudhore për në Greqi është rikonstruktuar, shpejtësia arrin 100 km/h, por nuk ka qarkullim. Investimi në infrastrukturë për të rritur shpejtësinë e trenit është i rëndësishëm, por duhet të bëhet së bashku me mirëmbajtjen e rregullt të rrjetit hekurudhor për të rritur sigurinë e pasagjerëve. Prandaj, furnizimi i vagonëve të rinj të mallrave dhe pasagjerëve me një kredi nga BERZH ishte një hap i mirëpritur për të ulur kostot e mirëmbajtjes.
Jemi dëshmitarë se projektet për ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore në vend, siç janë ato të paralajmëruara për Korridorin 8, janë shumë të ngadalta, për disa financohet por realizimi është i ngadalshëm, e për disa për një kohë të gjatë sigurohet financim konstruksioni. Çfarë duhet të bëjmë për të intensifikuar aktivitetet por edhe për të marrë më shumë mbështetje financiare?
Inkurajues është fakti që ka vullnet politik për të përshpejtuar planet për përfundimin e hekurudhës së Korridorit 8, që përbëhet nga 88 km hekurudhë nëpër pjesën verilindore të Maqedonisë së Veriut. Pas përfundimit, udhëtimi për në Sofje nga Shkupi me tren do të jetë i mundur për 3.5 orë. Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar vitin e kaluar nga Maqedonia e Veriut me Shqipërinë dhe Bullgarinë për ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme, është një shenjë e qartë e angazhimit për të përfunduar Korridorin 8 me mbështetjen e BE-së deri në vitin 2030.
Më duhet të përmend edhe Memorandumin e Mirëkuptimit të sivjetshëm, të nënshkruar me Bullgarinë, për përfundimin e seksionit prioritar, pjesën lindore të Korridorit 8, ku janë duke u punuar në pjesën nga Kumanova deri në kufirin bullgar. Seksioni midis Shkupit dhe kufirit bullgar është identifikuar si një nga projektet kyçe të Planit Ekonomik-Investues të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor si pjesë e planit “Lidhja e Lindjes me Perëndimin”. Ka mundësi për fonde, ka vullnet politik për të lëvizur dhe
shpresoj që rindërtimi të fillojë sërish në këto seksione pasi u ndërpre për arsye të ndryshme. Jam i sigurt se qytetarët e vendit tuaj së shpejti do të shohin përfitimet e zhvillimit ekonomik dhe uljen e emetimeve, falë përmirësimit të lidhjeve hekurudhore me Bullgarinë.
Çfarë mund të përmirësohet në drejtim të garantimit të qëndrueshmërisë së infrastrukturës ekzistuese dhe rritjes së sigurisë, duke pasur parasysh rastet e rralla të aksidenteve, veçanërisht në vendkalime, dhe çfarë aktivitetesh janë planifikuar në këtë drejtim?
Siç e kam përmendur tashmë, përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të fokusohen vetëm në infrastrukturë. Infrastruktura ekzistuese dhe e re duhet të mirëmbahen siç duhet për të rritur sigurinë dhe për të shmangur aksidentet. Kalimet, kryqëzimet dhe hekurudhat janë një nga pikat më të ndjeshme të trafikut. Rreth 55% e të gjitha kalimeve hekurudhore janë fatale ose me pasoja të rënda. Komuniteti i transportit së bashku me të gjithë partnerët rajonalë dhe me mbështetjen e BE-së përcaktoi 30 vendkalimet më kritike në Maqedoninë e Veriut dhe po punon për të rritur sigurinë duke përmirësuar infrastrukturën dhe trajnimin e të punësuarve apo stafit.
Kjo do të pasohet nga një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut në të gjithë rajonin për të paralajmëruar qytetarët tanë për rreziqet e vendkalimeve, rëndësinë e shënimit përkatës dhe cilat janë rregullat e trafikut kur duhet të lëvizni atje. Në përgjithësi, siguria e çdo lloj transporti është prioriteti ynë. Herën e fundit kur isha në Shkup, organizuam një konferencë për sigurinë rrugore së bashku me ministrin Boçvarski dhe ministrin e Punëve të Brendshme Spasovski për të diskutuar sigurinë rrugore me ekspertët kryesorë të fushës. Ne theksuam rëndësinë e një qasjeje holistike për sigurinë rrugore dhe kërkuam përmirësimin e dizajnit të rrugëve dhe automjeteve, ligje dhe zbatim më të mirë të ligjit, si dhe ofrimin e ndihmës urgjente në kohë për të shpëtuar jetën e të lënduarve.
Viti i kaluar iu kushtua Hekurudhës dhe janë planifikuar një sërë aktivitetesh në këtë drejtim. Ku do të jetë fokusi i Komunitetit të Transportit këtë vit dhe çfarë aktivitetesh janë planifikuar të realizohen?
Pas vitit 2021, që ishte viti i hekurudhës, në vitin 2022 do të fokusohemi edhe në rrugët e gjelbra dhe të qëndrueshme të së ardhmes. Ne mbështesim aktivisht “gjelbërimin” e investimeve në rrugë, vendosjen e teknologjive të avancuara të informacionit dhe tarifave elektronike në Ballkanin Perëndimor. Në të ardhmen e afërt, qytetarët tanë do të mund të drejtojnë automjetet e tyre elektrike në rajon dhe më gjerë dhe do të mund të qëndrojnë në pikat e mbushjes, të cilat do të instalohen në korridoret kryesore. Tashmë kemi filluar të hartojmë vendndodhjet e mundshme për pika elektronike në Ballkanin Perëndimor.
Ngjarja kryesore për promovimin e automjeteve me emetim zero është planifikuar të zhvillohet në qershor të vitit 2022 gjatë Samitit tonë Rrugor në Tiranë. Në samit do të marrin pjesë vendimmarrës, institucione financiare dhe ekspertë të dialogut për politikat e transportit rrugor me qëllim zhvillimin e një infrastrukture rrugore më të sigurt, digjitale dhe të gjelbër në rajon. Krahas takimeve ministrore të nivelit të lartë, ne do të vazhdojmë të mbështesim ngritjen e kapaciteteve në rajon me Shkollën tonë Verore, dedikuar rrugëve, trajnimeve për transportin e mallrave të rrezikshme, procedurat e kalimit kufitar, sigurinë rrugore etj.
Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dialogun social për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me transportin, duke organizuar kështu një Forum Social dhe një sërë ngjarjesh të nivelit të lartë me pjesëmarrjen aktive të palëve të interesuara të Maqedonisë së Veriut. Konferenca jonë e 8 Marsit, kushtuar grave në transport, do të trajtojë përfaqësimin e ulët të grave dhe do të jetë një thirrje për të rritur pjesëmarrjen e tyre.



