Kryeministri Zoran Zaev po u thotë diplomatëve të huaj se do të punojë për të ndalur shpërnguljen e të rinjve nga vendi. Këtë e ka deklaruar sot gjatë takimit me ambasadorin e Kanadasë në Shkup, Filip Pinington, një vend destinacion për shumë të rinj nga Maqedonia.
“Një prej prioriteteve të Qeverisë është sigurimi i perspektivës, vendet e punës dhe pagat dinjitoze për mbajtjen e të rinjve në vend dhe kthim të atyre që janë larguar. Për këtë qëllim u zotuam në planin ambicioz 3-6-9, në realizimin e të cilit e integrojmë gjithë shoqërinë”, ka thënë kryeministri.
Ndërsa, ambasadori kanadez e ka cilësuar pozitiv faktin se u formua Qeveria përmes, siç ka theksuar, procesit paqësor, demokratik, pas krizës së thellë politike në vend.

