Kryeministri Zoran Zaev ka pritur kryetarin e Selanikut të Greqisë Janis Butaris. Gjatë konferencës për media, Zaev tha se çështja e emrit duhet të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur pasi që është një problem që i mban peng dy shtetet për vite të tëra. Sipas Zaevit, ka kaluar koha kur politikanët frikësoheshin se me zgjidhjen e çështjes së emrit do të humben vota dhe simpati nga qytetarët. Optimizmi i Zaevit është madje se do të merr edhe më shumë mbështetje nga qytetarët në një referendum popullor.
Zoran Zaev, kryeministër
“Ka kaluar koha e frikës se do të humbim pikë para qytetarëve, votuesve tanë. Qeveria që prej momentit të parë po e përgatit terrenin për gjetjen e një zgjidhjeje, duke krijuar miqësi me fqinjin tonë. Tashmë ekziston një atmosferë miqësore dhe pozitive, por ende nuk ka asnjë detaj për fillimin e çfarëdo iniciativë për zgjidhje. Tani jemi në fazën e qasjes pozitive nga të dyja palët. Shpresoj se në momentin e duhur, ashtu siç i ka hije me ndërmjetësimin e Metju Nimicit kjo punë do zgjidhet”
Kryetari i Selanikut tha se takimet e tij të sotme me kreun shtetëror të Maqedonisë, janë vazhdimësi e takimit të ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov në Selanik. Butaris tha se bashkëpunimi mes dy shteteve, duhet filluar nga niveli lokal dhe të kalojë në nivel qendror, dhe kjo do të krijojë edhe kushte për një zgjidhje sa më të pranueshme për çështjen e emrit.
Janis Butaris, kryetar i Selanikut
“Si kryetar komune, nuk do doja të hyjë në çështje politike, por është e qartë se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të vazhduar marrëdhëniet në të ardhmen. Ne besojmë fuqimisht se bashkëpunimi mes njerëzve then kufinjtë që kanë ekzistuar deri më tani. Duhet patur parasysh se kur ka probleme ato duhet zgjidhur prej fundit e më lartë”
Kryetari i Selanikut Janis Butaris në shenjë mirëbesimi i propozoi Zaevit që takimi i ardhshëm mes dy kryeministrave grek dhe maqedonas, të mbahet në Selanik për ku e ftoi edhe Zaevin që të qëndrojë gjatë festave të fundvitit.
Ditëve të fundit janë intensifikuar bisedimet dhe deklaratat drejt zgjidhjes së kontestit me Greqinë për çështjen e emrit. Krerë të lartë shtetëror nuk mohojnë pyetjet e gazetarëve nëse po përgatitet terren për zgjidhjen e çështjes së emrit në vitin 2018 por as nuk japin përgjigje konkrete nëse ka ndonjë propozim konkret se si do quhej Maqedonia e të mos jetë provokuese për shtetin fqinjë.
Ferikan Iljazi Arif /SHENJA/

