Lidhja socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev, nuk përjashton mundësinë për prishjen e koalicionit qeveritar me Bashkimin Demokratik për Integrim pas acarimit të marrëdhënieve të partnerëve të koalicionit lidhur me mënyrën e rivotimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pasi kryetari Gjorge Ivanov, nuk e dekretoi dhe pasi opozita maqedone ka dorëzuar mbi 35 mijë amandamente për të penguar hyrjen në fuqi të ligjit.
Burime partiake brenda LSDM për Almakos kanë thënë se kryeministri Zaev ka shqyrtuar seriozisht opsionin për riformatimin e qeverisë, i cili parashikon formimin e një qeverie të gjërë, ku do të përfshihen të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të BDI. Ato janë të sigurtë se nëse zbatohet ky skenar, BDI do të rrënohet si kullë prej rrëre për një muaj.
Ideja për formimin e një qeverie të re koalicioni, ku do të përfshihej edhe VMRO-DPMNE dhe të gjitha partitë opozitare shqiptare, është shqyrtuar seriozisht në LSDM, pasi BDI shantazon qeverinë lidhur me rivotimin e Ligjit për gjuhët në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh mundësinë e grupimit të amandamenteve, por nuk lejon anashkalimin e tyre.
Përveç ligjit për gjuhët, thuhet se LSDM-së i ka ardhur në majë të hundës shantazhi i BDI për faljen e krimeve të funksionarëve të Ali Ahmetit gjatë qeverisjes së Gruevskit, për të cilët Prokuroria Speciale dhe Prokuria e shtetit kanë nisur hetime. Incidenti me Beqir Asanin në carshinë e vjetër në Shkup, si duket ka bërë që durimit të LSDM t’i vijë fundi. Zaev do ta ketë shumë vështirë të ndjek krimet e ish funksionarëve të Gruevskit, po mos ngritur padi edhe për krimet e njerëzve të BDI-së, për të cilët ka dëshmi të forta për korrupcion.
LSDM, përjashtimin e BDI nga qeveria mund ta realizojë pasi nuk do të acarojë marrëdhëniet me VMRO-DPMNE opozitare, pa ndihmën e së cilës nuk mund të miratohen në Kuvend ligjet për reformat prioritare të kërkuara nga Bruskeli dhe nuk do të mund të mbyllet çështja e emrit me Greqinë. Të njejtat burime theksojnë se lideri i VMRO-DPMNE, Kristjan Mickovski ka kërcënuar LSDM se nëse rivoton ligjin për gjuhët në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit duke anashkaluar debatin për amandamentet, konstruktiviteti i opozitës do të marrë fund.
Me përfshirjen e VMRO-DPMNE dhe të partive shqiptare të opozitës në qeveri, Zaev do të sigurojë shumicën e nevojshme për votimin e Ligjit për gjuhët, zbatimin e reformave prioritare dhe të zgjjidh çështjen e emrin. Partitë opozitare shqiptare, deputetët shqiptar të LSDM dhe deputetët e pakicave tjera poashtu sigurojnë edhe shumicën e nevojshme të Badinterit. Ky variant do t’i hapë rrugën liderit të VMRO-DPMNE, Kristjan Mickovski të çlirohet nga shantazhi i Gruevskit dhe me forca të përbashkëta të pastrojnë edhe mbetjet e fundit të regjimit të tij, kuadrot e korruptuar të BDI.
Almakos