“Bashkimi Evropian nuk na duhet nëse çmimi për këtë të ishte heqja dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas, pasi do të bëhemi sikur pluhuri i zhdukur në ajër dhe s’do të ketë kush të hyjë në Bashkimin Evropian”. Kështu ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Maqedonia e Veriut, tha Zaev, kërkon ndihmën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e bllokadës bullgare dhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Por, në anën tjetër, kryeministri maqedonas theksoi përkushtimin për vazhdimin e negociatave me Sofjen për kapërcimin e mosmarrëveshjeve bazuar në vlerat evropiane.
“Edhe pse me gjasë Bullgaria do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, unë shpresoj se do të mund të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e përkohshme të ekspertëve…Ne kemi arritur edhe marrëveshje tjera të mëdha, duke mbrojtur veçoritë tona kombëtare, pasi kemi të bëjmë të drejtën e vetpërcaktimit. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje që do të përcaktonte identitetin apo gjuhën tonë. Kjo është në kundërshtim edhe me parimet dhe vlerat evropiane”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve, por në anën tjetër, ai ka kërkuar angazhim më të madh nga BE-ja, meqë siç ka thënë, “njerëzit në Maqedoninë e Veriut janë lodhur nga ky debat i gjatë dhe premtimet e njëjta pasi kanë kaluar 20 vjet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe ende jemi në pritje të nisjes së bisedimeve”.




