Përderisa nga Bashkimi Demokratik për Integrim për projektligjin e fundit pohojnë se do ta zyrtarizon gjuhën shqipe në nivel republikan, në këtë mënyrë nuk mendojnë kryeministri aktual Zoran Zaev dhe një pjesë e njohësve të çështjeve politike në vend. Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me maqedonasit nga Instituti për gjuhën maqedonase deklaroi se “Gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, është e vetmja gjuhë zyrtare dhe alfabet zyrtar në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, njohton Almakos.
Kryeministri Zaev i është referuar paragrafit 1 të amendamentit V të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë dhe Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase të vitit 1998.
Ish-zëdhënësi i RDK-së, Artan Dika për Almakos deklaroi se Bashkimi Demokratik për Integrim betejën për të drejtat e shqiptarëve e ka ndërruar me betejë për privilegje të pushtetit dhe në asnjë mënyrë nuk ka zyrtarizuar gjuhën shqipe. Dika më tej shkruan:
“BDI ka dëshmuar pafundësisht herë se është parti-klan e interesave të grupit të njerëzve që bëjnë pjesë në të. Gjuha shqipe është një prej shumë çështjeve që ka pësuar nga ky shkëmbim i të drejtave të shqiptarëve me privilegjet e pushetit të përfaqesuesve të BDI-së. Ta kujtojme vetëm moszbatimin e ligjit për gjuhët në Qytetin e Shkupit dhe talljet e VMRO-së me BDI-në me komisione pa vlerë për shqyrtimin e problemit të cilat nuk mblidheshin kurrë. BDI-ja nuk ka mundur të hapë gojë edhe për rastet ku gjuha shqipe lejohej me ligj por drejtorët e pastruesit e injoronin e jo më të zgjidh probleme me të medha. Gjuha shqipe është perrallë e stërtreguar në çdo cikël zgjedhor. Kur han stek mishi të shtrenjtë e shetit nëpër hotele luksoze me bashkëpunetoren duke vizituar shpella me paret e shtetit, siç ishte rasti i ministrit të arsimit, nuk ke takat pastaj të ndryshosh as dy emra shkollash sepse bëhesh peng i privilegjeve personale e ta mbyllin gojën lehtë.”
Ndërsa analisti Albert Musliu nuk është skeptik. Ai përshpejtimin e votimit të projektligjit për përdorimin e gjuhëve, konsideron se është në kuadër të kampanjës parazgjedhore.
“Unë mendoj se gjithë përshpejtimi i tajmingut të prurjes së ligjit për përdorimin e gjuhëve, ishte në kuadër të kampanjës parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Esenca e ekzistimit të partive shqiptare bazohet në rregullimin ose tejkalimin e problemeve që do të ballafaqohen shqiptarët. Mos ishin çështjet shqiptare, nuk do të kishim justifikim, por do të kishim parti majtiste, djathtise e qendër”, përfundoi Musliu. /Almakos
Përgatiti: Blerim Ismaili

