Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me ambasadorin e BE-së, Samuell Zhbogar tha se shpreson që sa më shpejt vendit t’i hiqet rekomandimi i kushtëzuar për anëtarësim në BE.
Zaev tha se për Maqedoninë është e rëndësishme anëtarësimi në BE. Ai tha se me ambasadorin kanë biseduar për shumë çështje, por mbi gjitha mbi reformat që duhet të ndërmerren.
Qeveria e re tha Zaev, ka energji pozitve dhe dëshiron që ketë pozitivitet ta transmetoj edhe tek qytetarët.
“Do të bëjmë gjithçka që t’i plotësojmë pritshmëritë e BE-së që të kenë arsye të mjaftueshme për ta hequr rekomandimin e kushtëzuar. Jemi duke dakorduar takim me komisarin Johanes Hahn dhe ai duhet t’i tregoj pritshmëritë e tij nga Qeveria e re. Një kërkesë është realizuar, ndërsa ajo ishte mbajtja e zgjedhjeve. Kishim zgjedhje kredibile dhe po dalim nga kriza politike. Na mbetet vetëm zbatimi i reformave. Ne jemi të përkushtuar në proceset dhe një orë sa më parë të lëvizin gjërat”, ka deklaruar Zoran Zaev.
Nga ana tjetër ambasadori Samuell ZHbogar ka thënë se është mirë që tani në Maqedoni ka Kuvend funksional dhe Qeveri funksionale dhe kjo ju jep atyre besim se vendi po del nga kriza politike.
“Tani është koha të fillohet me punë dhe me reformat serioze. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë të japim kahje, ngase çdo qeverie duhet t’i ndihmohet në procesin. Të gjithë partitë politike dhe qytetarët duhet të kyçen në procesin”, ka thënë ambasadori ZHbogar.