Vetëm disa orë pasi mori mandatin nga presidenti Ivanov, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, vizitoi selinë e Lëvizjes BESA ku takoi kryetarin e kësaj partie, Bilall Kasamin. Karakteri i këtij takimi siç tha Zaev ka qenë konsultativ pas marrjes së mandatit dhe shqyrtim të hapave të mëtejmë në procesin për debllokimin e institucioneve dhe formimin e Qeverisë së ardhshme. Ai tha se në këtë fazë partitë do të shqyrtojnë platformat parazgjedhore me qëllim të përpilimit të një programe për Qeverinë e ardhshme.
“Ato janë pozicione fillestare të partive politike. Ne e premtuam planin për jetë në Maqedoni, të gjitha partitë politike dhanë premtime qytetarëve. Pozicionet fillestare tani në bisedimet mes të gjithë nesh janë të definuara, dhe në pajtim me këtë ajo do të shkrihet në programën e Qeverisë reformatore. Dhe në fund ajo është e rëndësishme për qytetarët, flas për të gjithë qytetarët pa dallime të përkatësisë fetare, politike, etnike apo tjetër. Më e rëndësishme është dokumenti që institucionet e sjellin dhe ajo që do të jetë program e Qeverisë së ardhëshme të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.
Nga Lëvizja BESA thanë se bisedimet rreth kushteve të kësaj partie për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme do të zhvillohen gjatë periudhës në vazhdim, ndërsa u zotuan se Lëvizja BESA do të mbështesë reformat dhe miratimin e ligjeve pozitive. Zëdhënësi, Faton Fazliu, tha se Zaev në takimin e sotëm ka falenderuar Bilall Kasimin për rolin konstruktiv dhe kontributin e BESËS në gjithë procesin.
“Ishte një takim i zakonshëm ndërmjet dy liderëve të partive politike, konstruktiv, u bisedua për situatën aktuale politike dhe hapat e mëtutjeshme se si do të zhvillohen për formimin e Qeverisë. Gjithashtu zotëri Zaev ju falendrua kryetarit të Lëvizjes BESA për rolin konstruktiv të Lëvizjes BESA dhe që e ndihmoi procesin në debllokimin e krizës politike”, deklaroi Fazliu.
Zaev u zotua se do të përshpejtojë takimet me drejtuesit e tre partive shqiptare që mbështetën shumicën e re parlamentare me qëllim që sa më shpejtë të formohet edhe Qeveria e re.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Zaev falenderon Kasamin për rolin konstruktiv… by tvshenjaofficial

