Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se akoma nuk ka tregues të cilët do të tregonin se nevojitet të vendoset orë policore apo karantinë për shkak të pandemisë me koronavirusin.
Unë personalisht, tha Zaev, jam kundër masave të këtilla, por nuk përjashtohet të sillen, nëse Komisioni për sëmundje infektive vlerëson se nevojiten dhe i rekomandon. Me angazhimin e Armatës si mbështetje në përballjen me krizën nga korona, sipas tij, dërgohet edhe një porosi se të gjitha kapacitetet e shtetit u vihen në dispozicion qytetarëve.
“As Qeveria, as ministri i Shëndetësisë nuk vendosin vetë. Masat sillen me propozim të Komisionit për sëmundje ngjitëse. Pikëpamjet e para që i marr si informata nga ministri Venko Filipçe janë se rezultatet nga masat e deritanishme janë të dukshme. Së pari, sipas të gjitha gjasave për shkak të frikës nga dënimet në pajtim me ligjin, e më pas, me siguri, për shkak të frikës nga infektimi. Së treti, në praktikë do të shihni se pas orës 21:00 pothuajse edhe nuk ka njerëz jashtë apo çfarëdo lloj grupimi. Gjithashtu, atje ku ndodhin shkelje, po ndërmerren masa drastike më rigoroze”, tha kryeministri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas kontrollit në aktivitetet e punës në gazpërçuesin magjistral Shkup-Tetovë-Gostivar.
Atë që e shohim sot, shtoi Zaev, është se së pari është e madhe dëshira të mbrojmë veten dhe më të afërmit, që, siç tha, prodhon mbajtje maksimale të maskave në ambiente të hapura. Së dyti, potencoi ai, evitohet grupimi, e së treti respektohen të gjitha rekomandimet madje edhe ai për moslëvizje pas orës 21:00 përveç në kushte më të domosdoshme.
“Nëse do të vendosej orë policore, ajo do të vendosej prej orës 21 deri në mëngjes. Kjo edhe tani funksionon pa orë policore, me atë dallim që shërbimet të cilat do të kujdeseshin për zbatimin e saj mund të kryejnë punë tjetër cilësore. Kjo nuk do të ndërronte asgjë serioze”, tha Zaev, por, nuk e përjashtoi mundësinë nga vendosja e saj, nëse për atë vjen rekomandimi nga Komisioni për shkak të ndryshimit të gjendjes.




