Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot kanë zhvilluar bisedë telefonike për situatën e re të krijuar në mes Maqedonisë dhe Serbisë.
Zaev dhe Vuçiq, siç thuhet në kumtesën e përbashkët, janë pajtuar që Maqedonia dhe Serbia çdo mospajtim në marrëdhëniet e përbashkëta ta zgjidhin nëpërmjet dialogut.
“Pa dallim dallimeve politike lidhur me disa çështje politike rajonale, Maqedonia dhe Serbia së bashku do të luftojnë jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe avancimin e marrëdhënieve miqësore mes popullit maqedonas dhe serb dhe qytetarëve të dy vendeve”, qëndron në komunikatën e përbashkët, transmeton SHENJA.
Zaev dhe Vuçiq janë pajtuar se Maqedonia dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të shtuar për përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.
“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Serbisë në përputhshmëri me normat ndërkombëtare, në vullnet të mirë dhe në bazë miqësore do t’i mbrojnë të drejtat dhe interes e përfaqësive diplomatike-konzulare në territorin e tyre. Republika e Maqedonisë dhe Republika e Serbisë do të intensifikojnë komunikimin e ndërsjellë në nivelin më të lartë, do të përkrahin njëra tjetrën në rrugën euroatlantike dhe do t’i përforcojnë marrëdhëniet fqinjësore dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

