Zaev-Bërnabiq: Pas “të enjtes së përgjakshme”, ne kemi tërhequr njeriun tonë, Serbia të vetin
Maqedonia respekton dialogun që Serbia ka hapur me Kosovën, dmth mes Beogradit dhe Prishtinës dhe besoj se zgjidhja do të jetë në interesin e Serbisë. Këtë e mbështesim plotësisht dhe shpresojmë në rezultate sepse është e rëndësishme për Serbinë dhe për perspektivën e saj evropiane, por edhe perspektiva e gjithë rajonit tonë mvaret nga kjo çështje, tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtypi me kryeministren Ana Bërnabiq sot në Beograd, përcjell Almakos.
Ne, vuri në dukje Zaev, jemi popuj të afërt dhe detyrimet tona si politikanë janë të ndjekim interesat dhe të nxisim bashkëpunimin midis dy popujve tanë.
“Ajo që është me rëndësi mes dy qeverive si dhe nivelit më të lartë presidencial është se për çdo çështje, sado e dhimbshme ose pozitive të jetë , gjithmonë t’ju përgjigjemi thirrjeve dhe të flasim e të biem dakord se çfarë është më së miri, për shkak se miqtë e bëjnë këtë – tha kryeministri Zaev.
Lidhur me rastin e punonjësit të Ambasadës Serbe në Shkup, i cili ishte në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill, gjatë incidenteve, Zaev tha se në mënyrë shumë miqësore dhe diplomatike u gjet një zgjidhje në këtë rast.
“Ne kemi bërë një marrëveshje dypalëshe, kemi tërhequr njeriun tonë, Serbia ka tërhequr personin e vet” – tha Zaev.
Për kryeministren serbe Ana Bërnabiq, kjo vizitë e parë zyrtare e Kryeministrit maqedonas në Beograd është një sinjal i mirë për të gjitha aktivitetet tona të mëtejshme dhe të gjitha çështjet e hapura që duhet të adresohen përmes dialogut.
“Ky është një hap i madh ” – tha Ana Bërnabiq.
Kryeministri maqedonas Zaev, në vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd, u prit sot përpara pallatit “Serbia” nga Ana Bërnabiq.
Në delegacionin e qeverisë maqedonase janë zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ministri i shoqërisë informatike dhe administratës publike Damjan Mancevski dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski. Në anën serbe të takimit janë ministri i brendshëm Nebojsha Stefanoviç dhe ministri pa resor përgjegjës për inovacionin dhe teknologjinë Nenad Popoviç.
Delegacioni qeveritar, i udhëhequr nga Zaev, gjithashtu do të pritet dhe nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç./Almakos

