Zyrtari i PDK-së dhe ish-deputeti me shumë mandate, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka shprehur një sërë kritikash për punën pesëvjeçare të Presidentes Vjosa Osmani, duke vënë theksin te transparenca, raportet institucionale dhe roli i saj në arenën ndërkombëtare.
Haliti tha se angazhimet e presidentes duhet të jenë të lidhura ngushtë me kornizën ligjore dhe kushtetuese.
“Angazhimi i Presidentit të Kosovës, duhet të bëhet në përputhje me kompetencat që ia jep Kushtetuta e ligji”, deklaroi ai.
Ai shtoi se mungesa e transparencës financiare mbetet shqetësim.
“Çdo vit buxhetorë, në procesin e votimit të buxhetit, Kuvendi miraton edhe buxhetin vjetorë të shpenzimeve të Presidentit. Nuk kam parë as lexuar raportin e shpenzimeve të Presidentes”, u shpreh Haliti.
Ish-deputeti, thotë se Presidenti ka pak kompetenca, por ato duhet zbatohen në formë transparente.
“Presidenti ka pak kompetenca por ato që i ka dhe i zbaton duhet të jenë transparente”, vazhdoi Haliti.
Ndër kritikat e tij ishte edhe mënyra e përfaqësimit në vizitat jashtë vendit.
“Në asnjë udhëtim të saj nuk e kemi parë të shoqëruar nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Në asnjë vizitë se kemi parë të shoqëruar nga biznesmeni siç e praktikojnë presidentët e vendeve tjera”, tha ai.
Haliti, potencoi se përfshirja e biznesit në diplomacinë presidenciale është kyçe.
“Ndihmimi i bizneseve të Kosovës përmes diplomacisë së Presidentit është shumë i rëndësishëm”.
Haliti u shpreh skeptik edhe për efektet e udhëtimeve ndërkombëtare të presidentes.
“Ka bërë udhëtime shumë, por nuk jam i sigurtë në sukseset e saj edhe për faktin që informimi ka qenë gjithnjë i njëanshëm”.
Ai komentoi gjithashtu përplasje të brendshme politike brenda subjektit Guxo.
“Duke pasur plasaritje në kuadër të Partisë Guxo, ka qenë e angazhuar që edhe kompetencat e Ministres së Punëve të Jashtme t’i kufizojë”, deklaroi ai.
Sipas Halitit, është vërejtur edhe një lloj rivaliteti institucional.
“Ajo që ka rënë në sy është edhe konkurrenca e presidentes në raport me Kryeministrin sa i përket raporteve me SHBA. Dukshëm është vlerësuar më shumë se Kryeministri në raportet me SHBA”, tha ai.
Haliti përfundoi se Osmani “ka shkuar nëpër konferenca të ndryshme të të gjitha niveleve”, por mbetet e paqartë, sipas tij, se sa efektive kanë qenë këto angazhime për Kosovën./Front Online


