17 April
Pavarësisht se shumë herë janë dhënë afate për përfundimin e punimeve, projekti për ndërtimin e Xhamisë në lagjen Tophanë të Shkupit ende nuk ka filluar. Madje kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi në deklaratën e tij të fundit rreth një vit më parë ishte shprehur i prerë se punimet do të fillonin pranverën e kaluar. Megjithatë deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Presim që në muajt e pranverës , nga marsi e tutje kemi shpresë se duhet të fillojë puna dhe atje do të rrumbullakohet ky projekt – tha Sulejman Rexhepi , Kryetar i BFI-së.
Nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë tani japin afat të ri. Sipas tyre punimet do të fillojnë së shpejti ndërsa ndërtimi i xhamisë do të përfundojë brenda dy vitesh. Për zvarritjen e deritanishme të punimeve nga BFI arsyetohen me probleme teknike.
Problemi ka qenë që të zgjidhet çështja teknike e gjërave, duheshe të zgjidhet çështja pronësore juridike, që projekti të merr pamjen e duhur. Pengesa ka qenë që të rregullohet dokumentacioni ashtu si duhet. “Shpresojmë që brenda dy viteve ky kompleks do të përfundojë në tërësi ashtu si duhet. Projekti në sasi është diku rreth 15 milion euro – u shpreh Irsal Jakupi, Sekretar i Përgjithshëm i BFI-së.
Alsat inspektoi hapësirat e parashikuara për ngritjen e këtij objekti fetar ku shihej se si vendi është rrethuar si shenjë e fillimit të punimeve. Por të anketuarit e Alsat shprehen mosbesues se ky projekt një ditë do të bëhet realitet pasi i njëjti rreth tre vite më parë u rrethua pas hedhjes së gurrë themelit të Xhamisë.
“Kanë dhënë premtime shumë, por nuk e di. Janë vonuar, para tre – katër vitesh thanë se do ta ndërtojnë”.
“Unë për vete nuk besoj, më ka humb besimi më. Patjetër që kemi nevojë se ne këtu jemi mbi 400 shtëpi pa xhami, por nuk janë duke bërë asgjë. Ata e rrethojnë, e heqin, prapë e rrethojnë dhe nuk ka asgjë”.
Vjollca Aliti