Mesfushori me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka në verë mund të largohet nga skuadra e Arsenalit.
Kontrata e tij me ekipin londinez skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe të dyja palët nuk kanë aritur asnjë marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit, duke lënë çdo gjë hapur për të ardhmen e futbollistit.
Ditë më parë, skuadra e Bayer Leverkusenit kishte shprehur interesim për shërbimet e reprezentuesit zviceran, ndërsa garës për shërbimet e Xhakës i janë bashkuar edhe dy skuadrat tjera gjermane, Borussia Monchengladbach dhe Borussia Dortmund.
30-vjeçari ka pasur një aventurë katërvjeçare në Bundesliga gjatë viteve 2012-2016 me Monchengladbachun, skuadër kjo që ka për synim ta rikthejë atë në elitën e futbollit gjerman.
Xhaka është pjesë e skuadrës së Arsenalit që nga viti 2016, me ekipin londinez që pagoi rreth 45 milionë euro për ta sjellë atë në “Emirates Stadium”.
Edhe pse Xhaka ka qenë lider i këtij Arsenali, nuk përjashtohet mundësia të shitet në verë.
30-vjeçari ka shënuar shtatë gola e ka dhuruar shtatë asistime për Arsenalin këtë edicion në 45 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.