Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, me ftesë të kolegëve të tij nga Parlamenti i Republikës së Polonisë, ka marrë pjesë në Samitin e 3-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të seancës së parë të Sejmit të Polonisë, transmeton Medial.mk.
Para fillimit zyrtar të Samitit, thuhet në kumtesë, Xhaferi realizoi takim me mikpritësin Stanislav Karçevski, kryetarin e Senatit të Republikës së Polonisë dhe në fillim të takimit, shprehu falënderim për mbështetjen konstante poloneze të aktiviteteve reformuese të vendit si edhe mbështetjen e fuqishme dhe të riafirmuar të proceseve eurointegruese të Republikës së Maqedonisë. Me këtë rast, të dy kolegët këmbyen mendime për ngjarjet aktuale në të dy vendet, për bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe mundësive për fillimin e llojit të ri të bashkëpunimit në këtë pjesë të Evropës.
Gjatë takimit, Xhaferi nënvizoi se shpreson se dinamika e vizitave të ndërsjella në nivel parlamentar dhe nivel tjetër të lartë do të vazhdojë edhe më tutje, me theks në thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella në sferat me interes të përbashkët. Fakti që Polonia e mbështet Republikën e Maqedonisë është me interes të veçantë për ne, nëse merret parasysh roli i saj i rëndësishëm në rajon, respektivisht Republika e Polonisë është e inkuadruar në Procesin e Berlinit dhe samiti i ardhshëm në vitin 2019 do të mbahet pikërisht në Varshavë. Karçevski, e përshëndeti prezencën e Xhaferit në këtë Samit të 3-të të kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe theksoi se kjo është shenjë e shkëlqyer për përcaktimin dhe rolin e Republikës së Maqedonisë në rajon, dhe ai është ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal për ndërtimin e politikave të përbashkëta dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në dobi të qytetarëve, thuhet në kumtesë.
Nga të dyja anët u vlerësua pozitivisht zhvillimi i deritanishëm i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, me ç’rast këtë vit shënohen edhe 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Ky jubile, së bashku me jubileun e 100-vjetorit të pavarësimit të Polonisë, janë mundësi e shkëlqyer për përparimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Të dyja palët u pajtuan se hapja e linjës së rregullt ajrore Shkup – Varshavë të transportuesit nacional polonez do të kontribuojë në përforcimin e marrëdhënieve të dy vendeve në nivel kulturor si edhe ekonomik.