Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, vendosi që Parlamenti të ketë pesë nënkryetarë. Këtë vendim Xhaferi tashmë e ka vendosur në rend dite të seancës plenare të caktuar për më 4 shtator, menjëherë pas kthimit të deputetëve nga pushimi. Burime brenda Kuvendit për “Post.mk” kanë thënë se propozimi është që nënkryetarët e Kuvendit t’i propozojnë partitë në pushtet LSDM-ja, Partia e Re Socialdemokrate dhe Aleanca për shqiptarët, si dhe VMRO-DPMNE dhe BESA në opozitë.
Sipas burimeve të “Post.mk” nga radhët e LSDM-së nënkryetare e Kuvendit më të gjasa do të jetë Frosina Remenski, nga PRSD Goran Misovski, nga Aleanca për Shqiptarë lideri i RDK-së Vesel Memedi dhe nga BESA, Fadil Zendeli.
Sa i takon propozimit të Xhaferit, nga VMRO-DPMNE-ja, na konfirmuan se së pari do ta kundërshtojnë numrin e nënkryetarëve dhe së dyti, edhe pse janë partia më e madhe parlamentare, “megjithatë nuk do të propozojnë nënkryetar të tyre”. Në qoftë se ky propozim i kryetarit të Kuvendit kalon, atëherë kjo do të jetë hera e parë në Maqedoninë pluraliste që Kuvendi të ketë pesë nënkryetarë. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, për “Post.mk”, deklaroi se do ta kundërshtojnë vendimin e Xhaferit.
“VMRO-DPMNE-ja nuk do të pajtohet që Kuvendi të ketë pesë nënkryetarë. Kurrë në histori deri më tani, Kuvendi i Maqedonisë nuk ka pasur kaq nënkryetarë. S’ka nevojë që Parlamenti të ketë më shumë se tre nënkryetarë. Pesë nënkryetarë do të thotë – më shumë shpenzime për Kuvendin, si për rrogat, ashtu edhe për makinat dhe shoferët, për sekretarët dhe asistentët. Pesë nënkryetar është vetëm plotësimi i ambicieve dhe dëshirave personale. Do ta kundërshtojmë numrin e nënkryetarëve. VMRO-DPMNE-ja nuk do të propozojë kandidat të saj, sepse sipas neve zgjidhja e Xhaferit për kryetar të Kuvendit është e kontestueshme, por edhe mënyra e funksionimit të Parlamentit, sepse deri më tani nuk është diskutuar mbi asnjë propozim të VMRO-DPMNE-së, deklaroi Dimovski. Sipas Ligjit për Kuvend, Kuvendi zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët nga radhët e deputetëve. Numri i nënkryetarëve e përcakton Kuvendi, sipas propozimit të kryetarit të Kuvendit. Nënkryetarët zgjidhen nga radhët e deputetëve që u përkasin partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend. Njëri prej nënkryetarëve zgjidhet nga radhët e deputetëve të partisë politike të përfaqësuar në Kuvend, e cila është partia më e madhe opozitare. Nënkryetarët e Kuvendit i ndihmojnë kryetarit në punën e tij, e zëvendësojnë atë në rast të mungesës dhe kryejnë aktivitete të ndryshme brenda fushëveprimit të tij. Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së se do ta kundërshtojnë numrin e nënkryetarëve, paralajmëron bllokadë të re në punën e Kuvendit. Nga shumica, thonë se për të parandaluar një seancë të mundshme maratonike, propozimet për nënkryetarët, më me siguri do të shkojnë me mbështetjen e 20 deputetëve, me qëllim që përzgjedhja të mos bllokohet në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.

