Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot pati takim me drejtorin e Komisionit për Çështje Sociale Zhvillimore të Kongresit Popullor të Kinës, He Jiting
Siç bëri të ditur Kabineti i Xhaferit, në takim janë përshëndetur marrëdhëniet miqësore të cilat po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektimit reciprok të sovranitetit, integritetit territorial dhe barazisë të të dyja vendeve.
Drejtori He informoi për punën e Komisionit për Çështje Sociale Zhvillimore, si një nga dhjetë komisionet të Kongresit Popullor të Kinës, i cili merret me çështjet e punësimit, mbrojtjes sociale, sigurisë në punë, mbrojtjes së të drejtave të grave dhe fëmijëve, edhe atë nëpërmjet funksionit të vet ligjvënës dhe mbikëqyrës për zbatimin e rregullativës së nxjerrë.
Xhaferi foli për ligjin e ri për mbrojtje sociale të nxjerrë nga Kuvendi, me të cilin zmadhohen obligimet e institucioneve për kategori të caktuara të qytetarëve dhe shprehu gatishmëri për ndarjen e përvojave në zgjidhjen e çështjeve të caktuara të sferës sociale.
Në kumtesë theksohet se të dyja palët u pajtuan se takimet e drejtpërdrejta dhe këmbimi i mendimeve dhe përvojave kontribuon konsiderueshëm në përparimin e lidhjeve miqësore ndërmjet dy shteteve dhe për krijimin e një ambienti të mirë për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.


