Nuk mund të gjenden fjalë për ta përshkruar agoninë e të gjithë të dënuarve të pafajshëm, tha kryetari i Asociacionit “Civil” njëherësh aktivist i të drejtave të njeriut, Xhabir Deralla. Ai tha se kjo dukuri është simptomë e një sistemi i cili nuk duhet lejuar as një ditë të vetme të mbijetojë.
“Është e turpshme që nuk pranohen argumentet me vite, njerëzit u plakën në burg, familjet e tyre nuk i kanë parë gjithë këto vite, njëri nga ata (të burgosurit) vdiq. Dhe kemi situatë në të cilën sistemi ndoshta ka bërë gabim, ja ta pranojmë se pa qëllim sistemi ka gabuar kur i ka vendosur në këtë gjendje tragjike. Ai sistem patjetër ta përmirësojë gabimin dhe atyre që janë të dëmtuar patjetër të iu tregojë çka është një sistem, mund të jetë i rreptë aty ku ka faj, megjithatë mund të jetë i drejtë atëherë kur e ka kuptuar gabimin e vet”, tha Deralla në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA.
Ai tha se në rastin “Sopoti”, nuk ka diçka që nuk është shkelur sa i përket të drejtave të njeriut, duke filluar nga procesi i arrestimit e deri te trajtimi në burg. Sipas tij, një rast i ngjashëm nuk mund të ndodhë në asnjë shtet normal të civilizuar.
“Organizata jonë si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, do të kërkojë dhe do të insistojë që sa më shpejtë të intervenohet në ligj por edhe menjëherë të përfundojë kjo agoni e këtyre njerëzve, sepse sa i përket të drejtave të njeriut, janë shkelur të drejtat edhe të familjeve të tyre në shumë baza”, deklaroi Deralla.
Sipas tij, nuk duhet të mbrohen të dënuarit e rastit “Sopoti” të cilët vazhdojnë të paraqiten në seanca gjyqësore, por duhet të mbrohet shteti nga të dënuarit e pafajshëm.
Powered by WPeMatico

