Qeveria serbe një ditë më parë ka miratuar një vendim për anulimin e të gjitha pasojave ligjore të veprimeve të institucioneve në Kosovë në lidhje me pozitën ligjore dhe faktike të Trepçës.
Në lidhje me këto veprime të qeverisë serbe për Telegrafin është prononcuar juristi Luz Balaj, i cili është edhe njohës i kësaj fushe.
Ai vlerëson se veprimet e qeverisë së Serbisë në raport me Trepçën duhet të shihen në dy aspekte: atë politik dhe juridik.
Sipas tij, në aspektin politik ky veprim është një kundërpërgjigje në idenë e ruajtjes së autoritetit të shtetit të Serbisë konform kushtetutave të mëparshme.
“Shihet si një veprim i ndërmarrë menjëherë pasi Kuvendi i Kosovës ka nxjerr ligj për Trepçën, me anë të së cilit ligj Kuvendi merr përsipër pronësinë dhe obligimet e Trepçës në 80 për qind të saj”, shpjegoi Balaj.
Ndërsa në aspektin juridik sipas tij, veprimi i qeverisë serbe është shkelje e rregullave ndërkombëtare.
Balaj potencon se ligji që është nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është me rregulla dhe standarde ndërkombëtare, kjo pasi autoritetet e Kosovës e kanë të legjitimuar të drejtën që vendimet e territorit të Kosovës të nxirren nga Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Në aspektin nacional ata ende e shohin territorin e Kosovës si pjesë të Serbisë. Ndërkaq, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka ndarë drejtësinë se kush mund të jap vendim sa i përket territorit të Republikës së Kosovës. Kosova e ka një ligj për Trepçën, dhe ky veprim i Serbisë duhet të shihet si shkelje e rregullave ndërkombëtare”, tha tutje ai.
Juristi Balaj, konsideron po ashtu se s’duhet të ndalemi dhe ta shohim këtë veprim si provokim politik por duhet shikuar nga aspekti juridik që është shkelje flagrante.
E sipas tij, kjo rihap dilemat në suksesin që ka dialogu në Bruksel në mes dy vendeve.
“Kjo kundërpërgjigje e qeverisë së Serbisë për ta mbajt Trepçën nën kontroll është vetëm për të arsyetuar popullin serb. Mendoj që institucionet tona duhet të reflektojnë mirë se çfarë të quajnë sukses, pasi sikur këto bisedime të kishin sukses atëherë do të kishte mundësi të shmangej ky dualizëm në tendencën për të ushtruar pronësi, Serbia ndaj Trepçës. Ky veprim që ka ndodhur nga shteti serb tregon që ata nuk janë të interesuar që në kuadër të procesit të dialogut të përfshihen edhe tema të tilla por dëshirojnë që ata t’ju qasen problemit dhe të arsyetojnë veprimet e tyre politike para elektoratit të tyre, në mënyrën e tyre”, tha juristi Luz Balaj për Telegrafin.
Përveç reagimit nga Beogradi, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për Trepçën, kanë reaguar edhe përfaqësuesit serb në institucionet e Kosovës.
Përveç bojkotit të Kuvendit të Kosovës nga ana e deputetëve serbë, bojkot institucioneve kanë paralajmëruar edhe ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës.
“Trepça është e Serbisë”. Kështu ka vlerësuar kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kabineti i tij qeveritar. Ekzekutivi serb vendosi se, të gjitha vendimet e Kosovës për “Trepçën” nuk vlejnë.
Ky vendim erdhi pasi fillimisht u ngritën tensione për kodin telefonik, si ultimatum që – sipas Serbisë, – është vënë në Bruksel.
Serbia ruan në këtë formë pronën e saj dhe veriun e Kosovës. Në asnjë mënyrë, në asnjë moment nuk do të hiqet dorë nga kjo. Vuçiç ishte i prerë, duke sqaruar vendimin e Prishtinës si marketing politik.
“Kjo është mbrojtje e asaj që na takon neve. Vendimi i qeverisë është porosi se, nuk mund të vini të merrni atë, për të cilën keni bërë ligj sikur është e juaja, pasi nuk është. Po iu informojmë edhe publikisht se nuk mund ta përdorni pronën e dikujt. Vendimi i tyre mbase është veprim marketingu, apo i pamatur. Por vendimi ynë është serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.
Një ditë para Samitit të Sigurisë dhe takimeve me zyrtarët nga Tirana, gjërat janë ashpërsuar. Analisti Dushan Janjiç thotë se, dialogu i Brukselit është kthyer në fabrikë nënshkrimesh dhe marrëveshjesh.
“Nuk ka pasur progres, nuk ka kod telefonik, nuk ka asnjë progres këtu. Bashkësia ndërkombëtare ka shumë faj, pasi marrëveshjet arrihen dhe nuk zbatohen. Kjo nuk është gjë e mirë. Por ndoshta mund të hapë rrugë”, tha Dushan Janjiç, analist.
Marko Savkoviç, organizator i forumit ku do të flisnin edhe zyrtarë nga Kosova, por që e anuluan pjesëmarrjen, thotë se kanë ngelur pa panelistë. Dialogu i shumëpritur i tyre nuk ishte ky.
“Qëllimi ynë ka qenë që të krijojmë një hapësirë për dialog. Ne besojmë se, sidomos kur ka kriza, dialogu është e vetmja alternativë për zgjidhjen e tyre dhe ne do të punojmë për këtë”, tha Marko Savkoviç, nga Forumi i Sigurisë në Beograd.
Kuvendi i Kosovës, ndërkohë, diskutonte për arrestimin e kryepolicit të Mitrovicës, Nehat Thaçi, ku kërkohej më shumë ashpërsi ndaj Serbisë. Serbia ndërkaq thotë se do ta zvogëlojë forcën e atyre, që duan t’i zgjidhin çështjet me dhunë.